Rend dhe Ligj

Drogë, vrasje e grup kriminal, OFL shënjestron 3 të dënuar

Operacioni Forca e Ligjit ka shënjestruar këtë të hënë 3 të dënuar, përkatësisht në Pogradec, Korçë dhe Tiranë.

OFL thotë se u ka dërguar kërkesë me shkrim për deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve këtyre shtetasve:

Eftim Ziko, banues në Pogradec, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”;

Nikolla Panariti, banues në Korçë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”;

Oltian Loga, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

OFL thotë se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, OFL thotë se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë