Gjatë operacionit të koduar "Kurthi", që u realizua në mëngjesin e së mërkurës, u arrestuan 24 persona, organizatorë dhe anëtarë të një organizate kriminale, të akuzuar për kontrabandë me sasi të mëdha marijuane që transportohej nga Shqipëria, përmes Malit të Zi dhe disa vendeve të rajonit, dhe kontrabandohej drejt Bashkimit Europian, njoftoi Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.
"Në hetimin e deritanishëm, duke ndërprerë rrugët e kontrabandës të përdorura nga anëtarët e këtij grupi kriminal, u gjetën dhe u konfiskuan gjysmë ton marijuanë. I njëjti grup akuzohet për kontrabandë të dy tonëve e gjysmë marijuanë", thuhet në komunikatën e policisë.
Kontrolli i policisë u krye në 30 banesa dhe u arrestuan 15 persona nga Ulqini, 7 nga Nikshiqi dhe nga një person nga Podgorica dhe Tivari.
"Në këtë operacion u angazhuan 180 oficerë policie - anëtarë të Sektorit të Policisë Speciale, Policisë Kufitare dhe të Stacionit të Ulqinit, Qendrës së Sigurisë së Tivarit, Qendrës së Sigurisë Nikshiq, Qendrës së Sigurisë Herceg Novi, Qendrës së Sigurisë së Podgoricës, etj. Nën drejtimin e Departamentit për Luftën ndaj Kontrabandës së Drogave", thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.
Policia malazeze në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marijuanë, e cila transportohet në format më të ndryshme drejt Malit të Zi.
Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi dhe Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.