Lajme

Drogë në shkolla, arrestohen dy të rinj në kryeqytet

Policia e Tiranës po ushtron kontrolle me agjentë civilë pranë shkollave të kryeqytetit, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se si rezultat i këtyre kontrolleve, në afërsi të një shkolle u kapën dhe arrestuan në flagrancë dy të rinj, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike.
Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit D. A., 27 vjeç dhe M. K., 22 vjeç (të dy banues në Tiranë).
Siç njofton policia, rreth orës 12:25 kanë ushtruar kontroll në ambientet përreth një shkolle në Tiranë, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit D. A. dhe M. K., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike (Cannabis Sativa).
Gjatë kontrollit, u është gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, me peshë 23.6 gr, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë