Futboll

Dreq, kemi gabuar! VAR-i nën akuzë, publikohet audio e katrahurës ndaj Liverpulit

Gazeta Si – VAR-i nën akuzë. Publikohet videoja që konfirmon anulimin e golit të Luis Diaz ndaj Totenhemit, edhe pse pamjet tregonin të kundërtën.

“Oh, dreq”. Darren England në VAR-in e Totenhem-Liverpul e kuptoi se kishte gabuar. Luis Diaz, sulmuesi i Liverpulit, nuk ishte në pozicon jashtë loje dhe arbitri ekspert e kuptoi se ai gabim ishte fatal. Një gabim, që në Angli ka rivënë VAR-in në shënjestër. Sepse duhej t’u jepte fund polemikave dhe gabimeve të arbitrave, por gjithmonë e më shpesh po del armiku numër 1 i Premier Ligës.

As vendimi i komitetit arbitral për të bërë publik dialogun në VAR gjatë rishikimit të golit nuk i ka qetësuar ujërat. Përkundrazi, mund t’i trazojë më shumë, duke parë kuadrin që shfaqet që nga mungesa e komunikimit.

Arbitër Simon Huper, në VAR Darren England dhe asistent i tij Kuk. Audio e komunikimit në episodin e golit të anuluar të Diaz (Liverpuli me 10 vetë dhe rezultati ishte 0-0, Totenhemi fitoi në fund 2-1) shoqërohet nga imazhet e aasj që ndodh në fushë.

Diaz shënon, aisitenti sinjalizon për pozicion jashtë loje të sulmuesit dhe Huper e anulon golin. Në këtë pikë hyn në lojë England, pra VAR-i, që rishikon episodin. Pamjet janë shumë të qarta: Diaz është në pozicion të rregullt. Mjafton të shihet linja 2D, që tregon se Romero mban në lojë lojtarin e Liverpulit. “Check complete” (kontroll i përfunduar) – njofton England.

Problemet nisin këtu. “Në një moment shpërqendrimi, - shpjegon komitetit arbitral, - VAR-i harron vendimin e marrë në fushë dhe njofton ‘Check Complete’, fraza që konfirmon atë që ka ndodhur në fushë. E bën pa komunikuar me asistentin e tij”. Ndeshja vazhdon 0-0, pa gol. Dhe pas përsëritjes sinjalizohet England se diçka nuk shkon.

“Prit, në fushë vendosën anulimin e golit. Kështu është?” – pyet Dan Kuk, asistenti i VAR-it. Loja vazhdon Kuk është i pari që e kupton. “Kemi gabuar”, - i thotë VAR-it. “Oh dreq” – përgjigjet England. Fakt është se goli është i rregullt dhe kjo gjë nuk u komunikohet asnjëherë 4 arbitrave në fushë. VAR-i dhe asistenti përpiqen të kuptojnë, nëse ndeshja mund të ndërpritet për të korrigjuar gabimin. “Jo, nuk mund të bëjmë më asgjë”, - thotë England.

VAR-i është në qendër të polemikave, edhe pse komiteti arbitral i kërkoi ndjesë Liverpulit pas ndeshjes. Edhe pse England dhe Kuk që dy ditë para ndeshjes kishin arbitruar në Emiratet Arabe, u pezulluan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë