Treg

Drejtuesi i Bankës Saudite jep dorëheqjen pas kaosit në Credit Suisse

Drejtuesi i Bankës Kombëtare Saudite, SNB, Ammar Alkhudairy, ka dhënë dorëheqjen për arsye personale pasi, banka më e madhe e mbretërisë saudite u vu në qendër të vëmendjes pas trazirave në Credit Suisse.

Shefi ekzekutiv i bankës, Saeed Al Ghamdi, do të zëvendësojë Alkhudairy si drejtues.

Në një intervistë televizive këtë muaj, Alkhudairy tha se SNB që kishte blerë 9.9% të aksioneve të Credit Suisse nuk do të ofrojë mbështetje financiare. Ai tha se nëse SNB do të blinte më shumë  aksione do të kalonte normën 10% dhe do të krijonte një pengesë rregullatore.

Komentet e Alkhudairy reflektoi politikën e vendosur në bankë, por e çoi çmimin e aksioneve të Credit Suisse në një humnerë, duke çuar në negociata të momentit të fundit që përfunduan me blerjen e saj nga rivali zviceran UBS.

“Çështja e deklaratës së kryetarit nuk kaloi pa u vënë re në mesin e vendimmarrësve të lartë”,- tha një bankier me bazë në Arabinë Saudite.

Drejtuesit rajonalë thanë se ai kishte tërhequr vëmendjen e tepërt ndaj SNB-së dhe agjendës më të gjerë ekonomike të mbretërisë. Aksioneri kryesor i bankës është Fondi Sovran i Investimeve Publike, i cili po drejton programin e reformave të princit të kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. “Nuk ishte ide e mirë të shkojë në televizion në mesin e një krize bankare”, tha një bankier në Dubai. “Nuk pati rezultat të mirë.”

Alkhudairy është bankier me përvojë që dikur drejtonte degët saudite të Goldman Sachs dhe Morgan Stanley. SNB, krijuar në 2021-shin nga Samba Financial Group dhe Banka Kombëtare Tregtare, zënë një pjesë prej rreth 30% të tregut bankar të vendit.

Blerja e Credit Suisse nga UBS shkaktoi një humbje prej 1 mld dollarësh për SNB, por një person me njohuri për detajet tha se aksionet në bankën zvicerane përbënin më pak se 2% të portofolit të saj të investimeve dhe do të kishte një ndikim të papërfillshëm në përfitim.

Blerja ka shkaktuar disa polemika sepse aksionarët morën një pagesë ndërsa mbajtësit e disa obligacioneve jo, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga autoritetet zvicerane. Rregulllatorët zviceranë kanë mbrojtur marrëveshjen dhe njerëz të afërt me SNB kanë mohuar presionin për kompensimin e aksionerëve.

Ndikimi i komenteve të Alkhudairy mbi çmimin e aksioneve të Credit Suisse pasqyroi fuqinë financiare në rritje të Arabisë Saudite.

Arabia Saudite, bashkë me shtetet e tjera të Gjirit të pasur me naftë, janë bërë më të hapur drejt investimeve përtej detit, me synim kthimin e fitimeve afatgjata dhe diverisifikimin  e ekonomisë.

Ai e përshkroi më parë investimin e Credit Suisse si një "manifestim të Arabisë së re Saudite", megjithëse ai shtoi se SNB do të synonte rritjen në Lindjen e Mesme dhe jo më shumë blerje në Europë.

"Kjo është hera e parë që një drejtues i Bankës Saudite ka lëvizur tregjet globale," tha një analist lokal. /FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë