Analize

Drejtësia, droga, krimi, jo më kot BE zgjodhi Soreca-n për Tiranën

I është lënë amanet reforma në drejtësi, por Luigi Soreca, Ambasadori i ri i BE-së në Shqipëri, mund të sjellë ndryshime të paparashikuara në vendin tonë. I specializuar në luftën kundër trafikimit të drogës dhe terrorizmit, Soreca ka mbërritur në Tiranë më një bagazh mjaft premtues. Pjesë e bordit drejtues të Europolit si dhe një negociatorët për liberalizimin vizave me Shqipërinë, avokati italian duket si “zgjedhja e përsosur” për të ndihmuar futjen e vendin tonë në shinat europiane. Si  hartuesi i planit të veprimit të BE-së kundër trafikut të lëndëve narkotike për vitet 2017-2020, Soreca parashikohet ta përqendrojë mandatin e tij në Shqipëri tek procesi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër drogës.

Por cilat janë sfidat që e presin? Dhe a ishte rastisi që BE-ja zgjodhi të dërgonte në vendin tonë një diplomat të specializuar në lufën kundër drogës dhe krimit të organizuar?

Kush është Luigi Soreca?

Para se të caktohej si Shefi i Delegacionit Europian në Shqipëri, Soreca ishte Drejtor i Sigurisë në Komisionit Evropian, ku mbikqyri hartimin e politikave të BE-së në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikimit të drogës, korrupsionit dhe krimit kibernetik. Drejtoria e tij gjithashtu ka mbikëqyrur punën e tre agjencive: Europolit, Cepolit (qëndres për trajnimin policor) dhe EMCCDA-së (Qendrës Europiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat). Ai ishte anëtar i Bordit Drejtues të këtyre tre agjencive.


Luigi Soreca takohet me Presidentin Ilir Meta 

Nga viti 2006 deri në 2013 italiani ishte Shefi i Çështjeve Ndërkombëtare të Komisionit Europian. Nga ky pozicion ai ka koordinuar nisjen dhe zbatimin e dialogut të liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Soreca koordinoi përgatitjen e udhërrëfyesve për liberalizimin e vizave, me pas u fokusua në arritjen e reformës në drejtësi, krijimin e një rekordi të qëndrueshëm mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke përfshirë edhe trafikimin e drogës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e Ballkanit dhe Shqipëri. Pas përfundimeve të dialogut për heqjen e vizave, ai krijoi një mekanizëm për të monitoruar keqpërdorimin e lirisë të lëvizjes dhe të drejtës së azilit në zonën Shengen, nga ana e qytetarëve të Ballkanit.

Luigi Soreca ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit të kreut të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për përgatitjen, miratimin dhe zbatimin e Agjendës Evropiane të Sigurisë, në prill të vitit 2015. Nga ky pozicion, ai ka koordinuar reagimin e politikave të BE ndaj sulmeve terroriste në vitet 2015-2017 duke ndërmarrë iniciativa të reja legjislative dhe politike, përfshirë përgatitjen dhe miratimin e direktivave europiane mbi terrorizmin, armët e zjarrit dhe pastrimin e parave dhe krijimin e qendrës së anti-terrorizmit në EUROPOL. Ambasadori i ri i BE-së në Tiranë ka mbikëqyrur gjithashtu edhe punën e Rrjetit të Ndërgjegjësimit të Radikalizimit (RAN) dhe ishte kryetar i forumit europian të internetit, i përbërë nga kompanitë kryesore të rrjeteve sociale dhe autoritetet e shteteve anëtare të BE-së të përfshira në luftën kundër terrorizmit dhe propagandës online.

Luigi Soreca në Komisionin Europian

Por Soreca është gjithashtu i specializuar në luftën kundër trafikimit të drogës, një nga problemet më të mëdha të vendit tonë. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për miratimin e direktivës se Bashkimit Europian për drogat e reja psikike (NPS) dhe ishte hartuesi i planit të veprimit të BE-së për luftën kundër trafikimit të drogës për vitet 2017-2020. Kjo nuk është hera e parë që Soreca bashkëpunon me autoritetet e vendit tonë, pasi italiani ka finalizuar edhe Memorandumin e Mirëkuptimit me Shqipërinë lidhur me pjesëmarrjen e saj në Programin e  Drejtësisë. Luigi Soreca ishte gjithashtu përfaqësuesi i Komisionit në Grupin "Roma-Lyon" të Zyrtarëve të Lartë G7-ës, i cili që merret me terrorizmin global dhe krimin e organizuar. Ai gjithashtu negocioi disa marrëveshje ndërkombëtare në emër të BE-së me vendet e treta, duke përfshirë edhe SHBA-në.

Avokati italian u bashkua me Komisionin Europian në vitin 2001. Ai e filloi karrierën e tij në sektorin bankar në Itali dhe pastaj u bashkua me Ministrinë e Brendshme italiane në 1992. Gjatë atyre viteve, ai pati privilegjin të krijojë kontakte të vlefshme me ministrat e brendshëm të disa shteteve anëtare të BE-dhe me përfaqësuesit e departamenteve të punëve të brendshme të vendeve të treta. Soreca gjithashtu negocioi marrëveshjet bilateral dhe multilaterale me vendet e treta për çështjet e krimit të organizuar në emër të qeverisë italiane.

Sfidat që e presin Ambasadorin e ri të BE-së në Shqipëri

Rreth tre muaj më parë Komisioni Europian rekomandoi që Këshilli Europian të hapte negociatat e pranimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, në dritën e përparimeve të arritura mbi reformën në drejtësi. Rekomandimi ishte i pari për Shqipërinë dhe erdhi 15 vjet pas Samitit te Selanikut. Por Komisioni Evropian, pjesë e të cilës ka qënë edhe Soreca, deklaroi  se vendi ynë ka ende shumë punë për të bërë për përmbushjen e plotë e 5 prioriteteve të vendoura nga BE-ja për hapjen e negociatave: Krijimin e një administrate profesioniste dhe të depolitizuar; forcimin e pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; luftën kundër korrupsionit; luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ish-ambasadorët Doanld Lu dhe Romana Vlautin

Në raportin e tij, për vitin 2018, Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në reformën e administratës së saj publike. Dokumenti thekson se përpjekjet e qeverisë shqiptare vazhduan, duke rezultuar në disa përparime në efikasitetin dhe transparencën e ofrimit të shërbimeve publike, trajnimin e nëpunësve civilë, procedurat më transparente të rekrutimit dhe forcimin e përgjithshëm të procedurave të shërbimit civil bazuar në merita. Megjithatë, sipas Komisionit Europian, konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të përparojë më tej, për të siguruar një administratë publike më efikase, depolitizuese dhe profesionale.

Raporti i vitit 2018 përqendrohet tek sistemi gjyqësor i Shqipërisë, “amaneti” më i madh i Vlautin, duke theksuar se duhet ende punë për zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse. Sipas Komisionit, rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut) ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme, por ky proces duhet të kryhet nga një autoritet i pavarur, t’i nënshtrohet monitorimit ndërkombëtar dhe të jetë në përputhje me rekomandimin e Komisionin e Venecias. Sipas ekspertëve, Shqipëria ka nevojë për përparime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit. Raporti thekson se dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë kanë ndodhur kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë), por se tani e kanë radhën zyrtarët e rangut të lartë të politikës.

Komisioni Europian thekson gjithashtu se në përgjithësi ka pasur disa përparime në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Por raporti thotë se Shqipëria duhet të punoje për rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke shkatërruar të gjitha magazinave ekzistuese të kanabisit.

Burimet: "Europa .Eu", "European Comission", "Euroaktiv"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë