Lajme

Drejt Milanos me dokumente false, arrestohen në Rinas 3 persona

Policia ka goditur sot një rast të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara, duke vënë në pranga tre persona.
Arrestimi i tyre është bërë gjatë një operacioni të koduar “Destinacioni final”.
Mësohet se personat e arrestuar janë E. B., 33 vjeç, dhe E. Xh., 25 vjeç, të dy banues në Tepelenë, si dhe K. X., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, pas dyshimeve të krijuara gjatë përpunimit të dokumentacionit, kaluan për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë shtetasit e lartpërmendur.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre personave, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 karta identiteti dhe 3 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara.
Siç njofton policia, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi kishin siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitete të shtetasve të tjerë (italianë) kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Milanos me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë vijon për identifikimin e bashkëpunëtorëve që kanë pajisur këta shtetas me dokumente të falsifikuara dhe që do ti ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë