Futboll

Drejt Juventus-Inter, Inzagi thumbon Alegrin: E ka më të lehtë pa Europën!

Gazeta Si – Pas dy javësh pritje nga ndeshjet ndërkombëtare, erdhi momenti i Juventus-Inter. Më e mira që ofron futbolli italian për momentin. Sfida mes dy kryesuesve të Serisë A luhet të dielën dhe Interi shkon në ‘Allianz Stadium’ me 2 pikë avantazh ndaj Juventusit.

Nëse skuadra e Simone Inzagit fiton, do të ishte shkëputja e parë e vërtetë sezonale. Por përballë është një Juventus solid, që do të përpiqet me çdo kusht të ndalë kryesuesit.

Trajneri i zikaltërve ka folur në konferencë për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ku nuk kanë munguar thumbat për kolegun e tij Masimiliano Alegri. “Kjo ndeshje vlen shumë, e dimë të gjithë ne në skuadër, tifozët dhe klubi. Megjithatë, nuk është vendimtare, kampionati ka edhe shumë ndeshje.

Do të jetë një ndeshje e madhe në një stadium të mbushur. Ndeshen dy skuadrat që kryesojnë dhe e dimë të gjithë domethënien e Juventus-Inter. Po bëjmë një kampionat të mirë, duke u mbrojtur si skuadër. Modulet e lojës janë të ngjashëm dhe duhet të fitojmë duelet individuale.

E prisja një Juventus të tillë, ka një trajner të madh dhe ambicioz, por kanë më shumë kohë për të përgatitur ndeshjet, sepse nuk luajnë në kupat e Europës. Ky është një avantazh i madh. Ne nuk fshihemi, shohim për më lart, duke e ditur se ka momente kur thonë se jemi të pathyeshëm dhe kur thonë se jemi dobësuar.

Do të luajmë futbollin tonë përballë një skuadre të fortë, kompakte dhe me lojtarë të mirë. Do të na duhet përqendrim maksimal ndaj Juventusit. Nuk firmos për barazim”, - theksoi mes të tjerash trajneri i Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë