Lajme

Dramaturgu 101 vjeçar, mban premtimin që i ka bërë shokut të tij, Hemingway

A.E. Hotchner dhe i biri Tim Hotchner vënë në teatër dramën "Plaku dhe Deti"

Kur filmi i përshtatur nga romani “Plaku dhe Deti” doli në kinema, Ernest Hemingway ndodhi të ishte në Nju Jork, për të ndjekur kampionatin e bejsbollit “World Series” dhe e ftoi mikun e tij të ngushtë, A.E. Hotchner, ta shihte filmin bashkë me të. “Dymbëdhjetë apo trembëdhjetë minuta pasi u ulëm, ai m’u kthye dhe tha: “Je gati të ikim?”, kështu rrëfen Hotchner në një intervistë, të ditëve të fundit, nga shtëpia e tij në Konektikat. Shkrimtari dhe dramaturgu 101 -vjeçar  kujton sesi ikën dhe u ulën në trotuar, ndërsa Hemingway thoshte se aktori Spencer Tracy ishte zgjedhur krejt gabim dhe ngjante si një aktor i dhjamur dhe i pasur, që rrekej të interpretonte një peshkatar. “Ai më tha: “E di si është kjo punë? Shkruan një libër që e pëlqen vërtet dhe ata e shtrembërojnë. Është njësoj si të shurrosh në birrën e babait”, kujton Hotchner. (Hemingway  do ta përdorte këtë shprehje të veçantë për shumë adaptime të urryera të veprës së tij, thotë dramaturgu).  Vonë atë mbrëmje, të ulur në restorantin  “Toots Shor” – një vend i frekuentuar nga Joe DiMaggio, Jackie Gleason  dhe  Marilyn Monroe –Hemingway e nxiti Hotchner-in  të bënte përshtatjen e tij, një ditë. Hotchner thotë se i premtoi se do të përpiqej. Më shumë se 60 vjet më vonë, Hotchner e mbajti fjalën e dhënë. Përshtatja e tij skenike e “Plaku dhe Deti” , vjen premierë në teatrin e rinovuar të Universitetit Point Park të Pitsburgut, në muajin shkurt.

Hotchner dhe Hemingway

“Vetëm kur u bëra vetë plak, e gjeta versionin që mund të transportohej përtej librit”, thotë ai. Hotchner duhet të ishte kandidati i duhur për ta ngjitur romanin në skenë: ai ka peshkuar me shkrimtarin  në Kubë, ka shkuar në luftime demash me të në Spanjë, ka dalë me të për gjah,  në Idaho dhe, ka shkruar biografinë bestseller, më 1966-ën, “Papa Hemingway”. Ai gjithashtu ka ndihmuar shkrimtarin të redaktonte librin “ Një verë e rrezikshme”. Shpesh shërbente edhe si agjenti i tij dhe ka përshtatur një sërë tregimesh për televizion, përfshi “Dëborat e Kilimanxharos”, “Vrasësit” dhe “ Dyluftuesi”, që e çoi në takimin e tij të parë me Paul Newman. (Ata të dy u bënë shokë dhe fqinj dhe i dhanë jetë kompanisë ushqimore  “Newman’s Own”  së bashku. Por kjo është histori tjetër.) “Në një farë mënyre ajo lutje më përndiqte, sepse ai vdiq jo shumë kohë pas kësaj. Për vite me radhë do të mendoja rreth “Plakut dhe Detit”. Por kurrë nuk më vinte ndonjë ide sesi mund ta merrje këtë libër shumë personale, sepse plaku është vetë Hemingway dhe është një vepër e vërtetë letrare”, thotë ai. “Si mund ta sjellësh atë në një jetë skenike?”

Dramaturgu 101 vjeç tregon një foto të vjetër me Hemingway
Hotchner mban në duar një foto me mikun e tij, Ernest Hemingway

U përpoq ndoshta dhjetë herë gjatë këtyre viteve ta përshtaste, duke nisur me skica që më pas do t’i griste, deri në përpjekjen e tij të fundit.  Për ta ndihmuar me projektin iu drejtua të birit Tim Hotchner  dhe i kërkoi ta shndërronte skicën e tij në atë që do të shfaqet në Pitsburg, më 17 shkurt. “Kam jetuar me fantazmën e Hemingway-it gjatë gjithë jetës sime dhe ka diçka shumë të thellë në këtë histori, edhe pse është shumë e thjeshtë”, ka thënë 47 vjeçari Tim Hotchner, dokumentarist dhe shkrimtar. “Dhe të kesh një baba 101-vjeçar, i cili ende del të peshkojë merlucin e tij, me shpresë se do të kthehet me rezultate më të mira, ka plot tema që vërtet jehojnë”. Tim Hotchner , e pa gjithashtu  projektin si një mënyrë për të rishqyrtuar veprën me lente moderne: të shohësh se ç’do të thotë të jesh një burrë në këtë  botë dhe të shohësh mjedisin.

Romani në shqip

Për ta bërë “Plaku dhe Deti” të pranueshëm për skenë,  Hotchner-ët kanë mjeshtëruar një kaleidoskop të rrëfenjës dhe e kanë gërmuar  tekstin për një qasje të re. Djali ka një rol më të madh dhe vetë Hemingway është personazh, siç është edhe violonçelisti që kumbon gjendjet shpirtërore,  gjatë shfaqjes. Kasta përfshin aktorin fitues të çmimin Tony, Anthony Crivello  në rolin e Santiagos, peshkatarit plak, David Cabot si Hemingway dhe Gabriel Florentin, në rolin e djalit, Manolinit. Violonçelisti Simon Cummings do të performojë muzikë origjinale për shfaqjen teatrale.

Në moshën 101 –vjeçare, A.E. Hotchner është mendjemprehtë, argëtues dhe shumë energjik. Gjatë një interviste katër orësh në shtëpinë e tij, iu desh vetëm dhjetë minuta pushim për të pirë një gotë ujë. Vitin e kaluar u botua romani i tij, me subjekt nga epoka e Depresionit të Madh, titulluar “Aventurat e Mrekullueshme të Aaron Broom”  dhe ai shkruan ende, çdo ditë. Rutina e tij? Mëngjes, shkrim, drekë, shkrim, lajmet e mbrëmjes, darkë, xhin dhe tonik dhe ndoshta një film.  Sa për “Plaku dhe Deti” ai është i lumtur  që më në fund e mbajti premtimin e dhënë para më shumë se gjysmë shekulli shokut të tij dhe është i kënaqur me rezultatin. “Ky do të jetë një version, për të cilin Hemingway nuk do të ishte i detyruar të braktiste sallën”, thotë ai.

*Kathy Willens/ AP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë