Libra

Dramat e Shakespeare ekspozohen në Londër

Nga Gazeta Si - Gjashtë koleksione shumë të rralla të dramave të William Shakespeare do të shfaqen në Londër javën e ardhshme në atë që shtëpia e ankandit Christie’s thotë se do të jetë ekspozimi më i madh i veprave në Britani.

Ekspozita, e cila shënon 400-vjetorin e botimit të “Shakespeare’s First Folio” do të qëndrojë në ekspozitën e Christie’s në Londër nga data 2 deri më 26 maj. Kopjet do t’u kthehen më pas pronarëve të tyre.

Botimet u përpiluan nga miqtë e Shekspirit dhe u botuan shtatë vjet pas vdekjes së tij.

Ato përmbajnë 36 nga 37 dramat që ai shkroi në zhanrin komedi, tragjedi dhe histori.

“Nëse nuk do të kishim botimin e Parë Folio, ka shumë të ngjarë që gjysma e të gjithë prodhimit të Shekspirit, pra 18 drama, nuk do të ekzistonin dhe këto përfshijnë drama si ‘Makbeth’, ‘Julius Cezar’, ‘All’s Well’. Ne nuk e dimë saktësisht se sa kopje janë botuar, por supozimi më i mundshëm është 750 kopje. Shumica janë të paplota, por ka edhe disa kopje të plota”, shprehet Margaret Ford, drejtuesja ndërkombëtare e librave dhe dorëshkrimeve në Christie’s.

Në vitin 2020, një përmbledhje dramash “First Folio” u shit për një rekord 9.97 milionë dollarë në ankand. Pesë nga gjashtë kopjet vijnë nga koleksione private dhe e gjashta nga Biblioteka e Shtëpisë së Senatit në Universitetin e Londrës.

“Gjashtë kopje mund të mos duken shumë, por në fakt, për ta vënë në kontekst hera e fundit që u ekspozuan edhe katër kopje ishte 100 vjet më parë për 300-vjetorin, kur Biblioteka Britanike ekspozoi katër kopje të tyre. Tani, 100 vjet më vonë, ne jemi në gjendje të bashkojmë gjashtë kopje të ndryshme për këtë ekspozitë. Siç thashë, secila tregon historinë e vet dhe mund të na tregojë diçka për Shekspirin ndër shekuj”, vijon Ford.

Ekspozita është e hapur falas për publikun dhe është hera e vetme që publiku mund të shohë gjashtë kopje të ekspozuara. /Reuters/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë