Treg

Drafti për transportin / 5-10% e karburantit do të jetë i rinovueshëm. Përjashtim nga taksat për lëndët tërësisht bio

Nga Gazeta ‘SI’ - Karburantet e rinovueshme duhet të përbëjnë të paktën 5% të konsumit total të transportit në Shqipëri, deri në vitin 2024, për të shkuar në të paktën 10% pas vitit 2025.

Kështu shkruhet në draftin e fundit të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është në proces konsultimi. 

“Ligji ka qëllim promovimin e kontributit në përmbushjen e angazhimeve për emisionet e gazeve që vijnë nga konsumi i hidrokarbureve në këtë sektor. Për Shqipërinë, transporti është kontribuuesi më i madh i CO2 dhe në përmasat e vendit, ndikon në ndryshimet klimatike. Ligji parashikon objektiva, afate kohore dhe role me përgjegjësi të përcaktuara qartë”, -thuhet në dokument.

Draftligji përmend edhe burimet e mundshme të biokarburanteve që mund të jenë biomasa agrikulturore, mbetje bimore apo edhe urbane. Këto lëndë do të prodhohen nga subjektet e licensuara nga MIE që duhet të funksionojnë si shoqëri aksionare. Ato kanë të drejtë të t’i përziejnë këto produkte edhe me nënprodukte të naftës.

Reduktimi i emetimeve të gazeve serrë, nëpërmjet përdorimit të biokarburanteve dhe biolëngjeve, duhet të jetë të paktën 35%. Ato nuk mund të prodhohen nga zona të mbrojtura, kullota dhe nga zona me shumë ujë apo pemë.

Sasia minimale vjetore e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, e rinovueshme, që do të përdoret gjatë vitit pasardhës në sektorin e transportit, përcaktohet në raport me sasinë vjetore të benzinës dhe të diezelit të vendosur në treg për transport nga çdo shoqëri tregtimi me shumicë.

Tregtuesit e biokarburanteve 100% bio do të përjashtohen nga taksat për 10 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë