Politike

Drafti final i Venecias: Më 25 prill me këtë Kod, më pas ndryshojeni

Drafti final i Komisionit të Venecias nuk këshillon ndërhyrje tjetër në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 25 prillit. Ekspertët kërkojnë që partitë të shkojnë drejt kutive të votimit me kodin aktual, ndërkohë që një sërë sugjerimesh për ndërhyrje propozohen që të bëhen pas këtyre zgjedhjeve.

Venecia u kërkon gjithashtu kryetarëve të partive që të shmangin kandidimin në më shumë se një zonë zgjedhore.

“Të shmanget çdo ndryshim tjetër i ligjit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në veçanti të mos ndryshohet kufiri i zonave elektorale. Udhëheqësit e partive politike duhet të shmangin kandidimin në më shumë se një zonë zgjedhore”, thotë Venecia.

Gazeta “Si” ka siguruar draftin final, që pritet të miratohet në seancë plenare nga Komisioni, ku ndër të tjera thotë se mangësitë e gjetura në Kod dhe procedurat për miratimin e tij duhet të adresohen në Gjykatën Kushtetuese.

“Komisioni i Venecias shpreh keqardhjen që procedurat e ndryshimit të Kushtetutës, si dhe të Kodit Zgjedhor ishin shumë të nxituara. Duhet të kishte pasur një këshillim më të gjerë mes aktorëve politikë dhe organizatave jo-qeveritare, në afate kohore të përshtatshme përpara miratimit”, thotë Venecia.

Pas 25 prillit, Venecia këshillon gjashtë ndryshime. Pika e parë është që të hiqet parashikimi aktual që u mundëson kryetarëve të partive që të kandidojnë deri në katër zona zgjedhore. Në pikën e dytë, Venecia rekomandon që Kodi të trajtojë në mënyrë të barabartë partitë brenda një koalicioni, duke u dhënë mundësi edhe partive të vogla që të apelojnë vendime.

Së treti kërkohet që mundësia e ankimimit dhe apelimit për shpërndarjen e mandateve brenda një liste t’u jepet edhe vetë kandidatëve individualë. Së katërti, Venecia kërkon rishikimin përcaktimit të Kodit Zgjedhor për numrin e kandidatëve në një listë, sipas të cilit kandidatët e një partie nuk duhet të jenë më pak se numri i deputetëve në atë zonë, plus 2. Ky parashikim, sipas Venecias, penalizon partitë e vogla.

Së pesti, Venecia kërkon që të shqyrtohet mundësia e përjashtimit nga pragu elektoral për minoritete dhe së gjashti, kërkon që të qartësohet pjesa e pragut elektoral për zgjedhjet vendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë