Rend dhe Ligj

Dosjet “339-184”, Arta Marku: U zvarritën, ka qindra orë përgjime

Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku, ka deklaruar se dosja “”339” në Durrës, ajo për blerjen e votave, ky dyshohet se është i përfshirë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka rreth 700 CD, të cilat sipas saj nuk janë zbardhur dhe janë lënë të pa ndjekura nga prokurori i çështjes në mënyrë të qëllimshme.

Të njëjtën gjë ajo tha se ka ndodhur edhe për dosjen “184” (ajo për zgjedhjet lokale në Dibër në vitin 2016).

Të konsideruara nga opozita si “kutia e Pandorës”, Marku tha se janë dosje të rëndësishme dhe duhet të ketë material, pavarësisht se nuk ka dijeni, pasi ligji nuk e lejon të kërkojë informacion.

“Këtyre dy dosjeve, nuk ka njeri që nuk ua di numrin. Kam marrë informacion, janë mbajtur për një kohë të gjatë bazuar mbi përgjimet dhe asnjë prej tyre nuk janë zbardhur në letër. Në momentin që prokurori dorëzoi dosjen, kishte një numër të madh disqesh. Vetëm për dosjen 339 kishte 700 CD, - u shpreh ajo në emisionin “Open”. - Vetëm një CD mund të ketë qindra biseda. Këto dosje nuk mund t’i hetoj unë. Nuk ma lejon ligji. Mbase po t’i kisha do ta kisha zgjidhur. Nuk janë shoqëruar përgjimet me veprime. Prokurori që e ka pasur nuk i ka ndjekur. I ndikuar po, pastaj politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër nuk preferoj ta them. Por di që është mbajtur për një kohë shumë të gjatë dhe disqet ende të patranskriptuara, që në fakt të vrasin sytë se janë 700 jo pak për t’u harruar”.

Sa i takon dosjes “184”, Marku shpjegoi se fashikulli ka të njëjtin problem: “Për këtë dosje, volumi i CD-ve nuk është edhe aq i lartë sa dosja tjetër, por gjithsesi ende nuk janë zbardhur. Dy prokurorë dhe disa oficerë të Policisë Gjyqësore po merren edhe me këtë dosje. Duken dosje të rëndësishme dhe natyrisht që duhet të ketë material. Ka pasur zvarritje të qëllimshme, një mendje e shëndoshë kështu do e mendonte, por nuk mund të them se kur mund të zbardhen”.

Kryeprokurorja ka folur edhe për dosjen e Unazës së Re. “Për Unazën e Re, do thosha se është një dosje që kërkon kohën e vet, si dhe dosjet e tjera. Nuk duhem pyetur unë për këto dosje, pasi nuk merrem unë”, tha ajo. E pyetur për faktin se si disa dosje trajtohen me dy standarde, ajo shtoi. “Mendoj që arsyet për këtë duhet parë mënyra se si çdo prokuror bën punën e tij, nuk mendoj që ka lidhje me anshmërinë politike”.

Duke analizuar punën e saj prej një viti e gjysmë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe pse në mënyrë të përkohshme, Marku komentoi se ka pasur disa arritje. Ajo u shpreh se është ndier keq ditën e betimit në Kuvend, ku opozita e kundërshtoi zgjedhjen e saj, por sqaroi se nuk është penduar: “Admiroj veten që pranova një detyrë të tillë në ato kushte, por nuk jam penduar për zgjedhjen time. Kam bërë gjëra që mund të mbahen mend, nuk kam bërë gjëra që mund të më sillnin përfitime brenda kompetencave të mia. Kam lëvizur drejtues që mendoj se kishin plotësuar orët e tyre në drejtim dhe nuk mendoj se kishin për t’i dhënë gjë sistemit. Unë mendoj se në krye të prokurorive kam vënë njerëz cilësorë, të ndershëm. Është cilësi shumë e rëndësishme të jesh i ndershëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë