Futboll

Dosje spiunazhi edhe për Juventusin, donin të godisnin klubin torinez për ta rrëzuar!

Gazeta Si – Sipas Prokurorisë së Peruxhias, ka dosje ilegale që kanë lidhje me provimin e Luis Suarez, llogaritë e Anjelit, por edhe për Alegrin dhe Kristiano Ronaldon.

Çështja "dossieraggio", e dalë nga hetimi i Peruxhias, nuk ka goditur vetëm personazhe të politikës, ekonomisë dhe spektaklit, por edhe botën e sportit. Përveç presidentit të Federatës Italiane, Gabriele Gravina, dhe atij të Lacios, Klaudio Lotito, është zbuluar se edhe për Juventusin ka pasur një plan spiunazhi.

Sipas "Corsport", janë zbuluar dosje ilegale për të goditur klubin torinez në vitet e presidencës së Andrea Anjelit. Në veçanti flitet për ndërhyrje të paligjshme në sistemet informative të brendshme në rastin e provimit të Suarez, për Superligën, rikthimin e Alegrit, lamtumirën e Kristiano Ronaldos, si dhe për presidentin Anjeli.

Objektivi ishte për të gjetur prova të mundshme për shkelje ligjore, në mënyrë që të goditej presidenca e mëparshme e Juventusit. Kjo gjë ndodhi më pas me hetimin ‘Prisma’, që ndikoi edhe në rezultatet e skuadrës sezonin e kaluar, i përjetuar mes proceseve gjyqësore dhe penalizimeve.

Prokuroria e Peruxhias gjatë hetimeve ka dyshuar se në të tilla raste është pas krahëve puna e errët e ‘spiunëve’, të futur në punë për hapjen e procedimeve, që nuk mund të nisnin në mënyra të tjera.

Nga hetimet ka dalë se llogaritë bankare të Anjelit janë kontrolluar një ditë pas njoftimit për krijimin e Superligës. Po ashtu, për rikthimin e Alegrit te Juventusi, pagesat jashtë Italisë për lojërat e fatit filluan të zvarriteshin.

Ka pasur gjithashtu hetime për llogaritë e Kristiano Ronaldos, kur filluan të qarkullonin zërat për largimin nga “Zonja e vjetër”. Qëllimi ishte që të dështonte shitja e tij për të shpëtuar llogaritë e Juventusit. Tani mbetet të zbulohen emrat e ‘spiunëve’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë