Drejtësia

Dosja ‘Partizani’, SPAK akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se favorizoi dhëndrin e tij: Jamarbër Malltezi përfitoi 5.4 mln euro

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashin (i pari i arrestuar dhe i dyti në detyrim paraqitje).

SPAK njofton se ish-Kryeministri Sali Berisha dyshohet të ketë kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.

Për vetë Malltezin, prokuroria thotë se ka dyshime se ka kryer procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, për t’i ndryshuar më pas destinacion dhe përdorur për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Nga ndërtimi i këtyre të fundit, SPAK thotë se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës.

Përfitimet kanë qenë monetare, dhe mënyra se si ai ka arritur t’i marrë, prokuroria thotë se ka përdorur statusin e tij në cilësinë e investitorit tek shoqëria “Homeplan shpk”, ndonëse në këtë të fundit SPAK thotë se Malltezi nuk kishte investuar asgjë.  

Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë Euro.

Në vijim të hetimit, për SPAK është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se nga ana e Sali Berishës, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë asokohe, janë kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.

SPAK thotë se nga ana e Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe Jamarbër Malltezit.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme njofton se në cilësinë e tij e Berishës si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Jamarbër Malltezi, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

SPAK ka dyshime se Jamarbër Malltezi ka kryer veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me ish-Kryeministrin Sali Berisha pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:

-Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Jamarbër Malltezi.

-Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës, Malltezi.

SPAK njofton se të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 Lekë ose 5 420 345 Euro.

Mes të tjerash, SPAK njofton se Jamarbër Malltezi dyshohet se në bashkëpunim me Fatmir Bektashin ka konsumuar veprën penale të “pastrimit të të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 Lekë ose 5 420 345 Euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

Ndërkohë, Fatmir Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, pasi ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezin për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar dhëndrit të Berishës, dhënien e përfitimeve të paligjshme.

Bektashi dyshohet gjithashtu të ketë kryer veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim me Malltezin pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi.

GJKKO ka vendosur sekuestrim për 16 pasuri të paluajtshme, 6 llogari bankare, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të Jamarbër Malltezit në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë