Politike

Dosja McGonigal, Salianji tek Siguria: Ai ka bërë lëmsh dynjanë, e ke takuar ti? Peleshi: Jo po nuk do ishte mëkat

Nuk ishte në rendin e ditës, por Komisioni i Sigurisë në Kuvend u përfshi në debate për dosjen e agjentit të lartë të FBI-së të arrestuar, Charles McGonigal.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji tha gjatë mbledhjes se pjesë e axhendës së punës duhet të ishte dosja McGonigal dhe kamerat e sigurisë vendosur nëpër qytete nga grupe kriminale dhe jo dekoratat për sportin.      

“...Komisioni i sigurisë sa herë që flitet për ngjarje që kanë të bëjnë me sigurinë merret me sportet. Ka pasur dy raste, një për çështjen McGonigal dhe kamerat, kush e di sa vite të instaluara.

Nëse nuk vjen ministri të japë llogari në parlament thërrisni ndonjë punonjës.

Së dyti të kërkojmë informacionin e nevojshëm për një person që është bërë kryelajm McGonigal. Ai ka bërë lëmsh gjithë dynjanë, korrupton etj. Ky komision nuk është komision që mat veprimtaritë sportive. Ne vetëm me situatën e rendit dhe sigurisë publike  nuk merremi” tha Salianji.

Më pas deputeti Ferdinand Xhaferaj i drejtoi një pyetje ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshit

“Duke qenë se ke qenë në Amerikë, e keni takuar ndonjëherë McGonigal?” pyeti Xhaferaj.

"Po s’u përgjigja do duket sikur kam ndonjë gjë për të fshehur. Jo nuk e kam takuar, po edhe po ta kisha takuar, nuk besoj se përbën lajm. Ne kur takon dikë nuk shtimë fall. Kjo s’është pyetje, unë s’merrem me spekulime. Edhe po ta kisha takuar s’do ishte mëkat" iu përgjigj Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë