Avokati Fran Dashi ka paraqitur kërkesën për rivendosjen në afat të ankimimit ndaj vendimit për Izet Haxhinë.
“Jemi për të studiuar aktet e para. Pretendimi ynë është të rihapet dosja nga e para. Pasi hetimi dhe gjykimi i klientit tim për ngjarjen e 12 shtatorit 1998 është bërë në mungesë”- deklaroi avokati Fran Dashi.
Avokati nuk dha sqarime nëse Izet Haxhia do të paraqesë prova të reja, që do të mundësonin rihapjen e çështjes apo do të mbështeste kërkesën vetëm në momentin procedurial të gjykimit në mungesë.
Ish truproja e ish Kryeministrit Sali Berisha u ekstradua nga Turqia pas 19 vitesh dhe aktualisht ndodhet në ambientet e burgut 302 në kryeqytet.
Avokati i Izet Haxhisë kishte paralajmëruar dhe më herët rihapjen e çështjes së klientit të tij.
Ish truproja i Berishës është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, në shtator 1998, por vetë Izet Haxhia nuk e ka pranuar asnjëherë pjesëmarrjen në vrasje.