Politike

Dosja e partive për zgjedhjet, çfarë pritet të diskutohet në shtator dhe plani “B” i PD-PS

Nga muaji Shtator i viti 2007  deri në Prill të 2008-ës, PD e PS u përfshinë në një diskutim të ethshëm për ndryshimet në Kushtetutë, që do t’i paraprinin zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës.

Asokohe, vetëm për pragun zgjedhor, diskutimet zgjatën dy muaj.

Në kushte normale, pas prekjes së fundit të Kushtetutës, dy partive kryesore në vend, (nisur nga eksperienca e tyre politike dhe mënyra se si punojnë), do tu duhen disa muaj kohë që ndryshimet t’i implementojnë në Kodin Zgjedhor.

Të paktën kështu po llogarisin ekspertë dhe zyrtarë  të dy partive kryesore në vend të kontaktuar nga gazeta “Si”

A është politika shqiptare në kushte normale dhe në afate kohore të mjaftueshme? E vështirë të thuhet sa kohe që palët përmes një marrëveshje gentelman-e kanë rënë dakord që zgjedhjet të mbahen më 18 Prill të vitit të ardhshëm dhe puna konkrete për të përcaktuar të gjitha rregullat e ndryshimit të Kushtetutës do të fillojë vetëm në muajin Shtator.

Pse? Sepse deri në datë 19 gusht nuk ka hyrë në fuqi ende Kodi i ri Zgjedhor dhe deri më 25 gusht llogaritet të futen në fuqi ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë afatet (20 ditë) kur ajo do të kalojë në heshtje nga Presidenti, (pasi ai nuk i dekreton), dhe koha se kur do të botohet ne Fletoren Zyrtare.

Pas respektimit të këtyre afateve kalojmë tek diskutimi që përfshin në dukje vetëm kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes...

Sistemi zgjedhor

Debati konkret nis që me sistemin zgjedhor. Sepse ekziston mundësia e diskutimit të ndarjes së vendit ne rajone edhe pse proporcionali rajonal i shkon me shumë qarkut, (i parashikuar edhe në Kushtetutë).

Për herë të parë termi “rajon” përmendet në ndryshimin e nenit 64 të Kushtetutës, ku në pikën e parë thuhet se, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

Dimë gjithashtu se deri më tani kanë funksionuar katër rajone administrimi dhe se pak kohë më parë kaloi edhe një ligj që diskuton çështjen e rajoneve, jo si ndarje pushteti vendor, por si ndarje administrimi. Ashtu siç dihet se PS-ja i ka organizuar strukturat këtu e një vit më parë pikërisht mbi bazë rajonesh.

Të kontaktuar për këtë çështje nga gazeta “Si” kahet politike janë të përgatitur për ta hapur këtë diskutim sa kohë që parametri kryesor i sistemit zgjedhor është madhësia e zonave zgjedhore.

Në këtë debat nuk duhet parë si deklaratë e shkëputur, as ajo e anëtarit në largim të KQZ-së, Bledar Skënderi, i cili tha se ndryshimet kushtetuese duhet të shoqërohen me riformatim të ndarjes territoriale.

“Sistemi aktual me qarqe e vështirëson shumë pjesën e përzgjedhjes së kandidatëve për qarqet që kanë shumë pak deputetë. Po marr Kukësin për shembull që është qark i vogël që ka 3 deputetë. Qytetarët janë shumë në vështirësi për të përzgjedhur një nga kandidaturat. Sistemi me lista të hapura do funksiononte me disa rajone më të mëdha se qarqet aktuale. Për shembull mund të bëhet një sistem me katër rajone më të mëdha në gjithë Shqipërinë për të hequr edhe dyshimet që kanë palët, që te qarku që ka numër tek apo çift favorizohet më shumë njëra palë se tjetra. Ka më shumë barazi mes palëve absolutisht nuk favorizon askënd, pastaj palët vendosin nëse do ketë koalicione apo jo”

Koalicionet

Kalojmë tek debati i dytë; koalicionet. Opozita ka këmbëngulur lista të hapura kandidatësh, por me ruajtjen e skemës aktuale të koalicioneve që do të thotë se, partitë politike, pjesëtare të një koalicioni, duhet të paraqiten në zgjedhje me listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore.

Me heqjen e koalicioneve në Kushtetutë dhe hapjen e listave, formula sa më sipër është e vështirë të zbatohet. Ndaj dhe palët po i rikthehen diskutimit të mbyllur qysh prej vitit 2001, për modelin e listës së përbashkët dhe jo listës së përbërë. 

Kjo pastaj ndryshon në detaje nga mënyrën e llogaritjes së mandateve e deri financimin e partive që në Kod është i bazuar tek fuqia elektorale që kanë, me të drejtën për të pasur më pas edhe komisionerë.

Pragu

Shkojmë pastaj tek pragu që do të jetë kombëtar sipas ndryshimeve në Kushtetutë, por pa përcaktuar se sa do të jetë.

Nën zë palët i thanë gazetës “Si” se po diskutojnë që ai të jetë 2% (me qëllim që të pranohet edhe nga PD). Megjithatë, gjatë diskutimit në komisionet parlamentare të ndryshimeve kushtetuese nga mazhoranca u përforcua ideja se ajo mund të jetë 3%. Ndaj dhe debati vijon.

Listat e hapura

Kalojmë pastaj tek listat e hapura. Sa do të jetë? 100% siç e kërkon PD-ja apo me raportin aktual që parashikon Kushtetuta, me propozim të socialistëve.

Në funksion të kësaj do të duhet rikonceptuar fleta e votimit nga e para në mënyrë që të bësh bashkë votën për partinë dhe votën për kandidatin.

Kjo mund të jetë e zgjidhshme në rast se partitë dalin si koalicione me listë unike. Po nëse partitë do të vendosin të dalin më vete, pa bërë koalicion? Si do të zgjidhet konfigurimi i fletës?

Votë e vlefshme apo e pavlefshme

Për të kaluar pastaj tek përcaktimi i rregullave të reja se çfarë quhet votë e pavlefshme.

Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë, por me hapjen e listave ndryshojnë rregullat.

Përshembull unë mund të votoj partinë, por jo kandidatin, si duhet të quhet kjo; e vlefshme apo e pavlefshme? Apo edhe anasjelltas.

Ekspertët sqarojnë se do të duhet të rishkruhen të gjithë rregullat e procesit të vlerësimit të votës, numërimit të votës, kontestimit të votës, të tabulimit të rezultatit, shpalljes dhe më pas ankimimet sepse pritet të ketë një rritje të madhe të ankimeve mes kandidatëve  brenda partive një fenomen ky që ka ndodhur gjerësisht në vitin 2001.

Për të mos shkuar pastaj deri tek detajet e rishkruarjes së rregullave edhe për kandidatët, që të mos fyhen me njeri tjetrin, a duhet të kenë posterat e tyre pasi është reduktuar ndjeshëm kjo pjesë në Kod, a do të hapë apo jo zyra çdo kandidat, sa para duhet të harxhojnë për fushatën, si do të parandalohet paraja e pistë që do të hidhet në zgjedhje...etj.

KQZ e re

Paralelisht, me këtë diskutim jo zyrtar dhe kryesish mes vetë partive, në shtator pritet të ngrihet edhe KQZ-ja e re pasi të rifillojë punën Kuvendi.

Sikur çdo gjë të shkojë fjollë me emrat për KQZ-në, fillon debati për procesin e identifikimit biometrik offline në zgjedhje që maksimalisht, (sipas ekspertëve) duhet të përfundojë në fillim të muajit tetor nëse do të jetë i vlefshëm për zgjedhjet e ardhshme të prillit.

A është e mundur që gjithë ky debat të zgjidhet brenda muajit Shtator?

Gjasat janë që jo sipas kalkulimeve të partive.

Ndaj dhe secila prej tyre po diskuton edhe planin “B”, ku Rama mund të kalojë projektin e tij me votat e Myslim Murrizit, (në këmbim të depolitizimit të komisioneve), ndërsa PD-ja në gjithë këtë katrahurë politike mund të garantojë vetëm hyrjen në zgjedhje, dhe asgjë më shumë, duke paracaktuar në këtë mënyrë ndofta zgjedhjet më të vështira vitin e ardhshëm.   

Shtatori pritet të jetë vetëm fillimi...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë