Politike

Mbyllen pushimet, PS mbledh grupin para nisjes së sesionit të ri parlamentar

Partia Socialiste kthehet nga pushimet dhe ditën e martë Edi Rama do të mbledhë grupin parlamentar në qytetin e Elbasanit.

Ky është takimi i parë në prag të nisjes së sesionit të ri Parlamentar dhe sezonit të ri politik, që parashikohet të vijojë aty ku u mbyll në fund të korrikut: me përplasjet për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara nga socialistët më 23 korrik materializuan dakordësinë e gjetur në Këshillin Politik pas ndërmjetësimit të fortë të Ambasadores Amerikane, Yuri Kim.

Ndryshimet kanë hyrë në fuqi, por gjithashtu në fuqi kanë hyrë edhe ndryshimet kushtetuese të miratuara më 30 korrik. Këto ndryshime kushtetuese përcaktojnë hapjen e listave në të paktën dy të tretat e tyre.

Kjo do të thotë se do të jetë e nevojshme një tjetër ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për të reflektuar parashikimin e Kushtetutës për hapjen e listave të deputetëve. Pikërisht në këtë Kod do të përvcaktohet edhe sa do të jetë masa e hapjes së tyre.

Partia Demokratike akuzoi se pas kësaj lëvizjeje qëllimi i vërtetë i mazhorancës nuk ishte hapja e listave, por ndalimi i koalicioneve parazgjedhore në formën e 2009-ës dhe 2013-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë