Lajme

Dosja “Babale”, Gazmend Bardhi shkon në gjykatë për të dëshmuar

Ndërkohë që gjykata në korrik të këtij viti kishte urdhëruar shoqërimin e tij të detyruar në rast mosparaqitje, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, shkoi vetë për të marrë pjesë në seancën e radhës gjyqësore për dosjen “Babale”.
Gjykata e Tiranës urdhëroi që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, të sillej forcërisht në gjyqin ku po shqyrtohet dosja “Babale” pasi sipas saj, Bardhi është njoftuar dy herë për të dëshmuar në këtë gjyq, por heziton të paraqitet.
Bardhi ka deklaruar se urdhri për shoqërim të detyrueshëm është i paligjshëm.
“S’kam pasur njoftim për të ardhur në seancë. Është i paligjshëm urdhri për shoqërim të detyrueshëm”, deklaroi Bardhi.
Ndërsa më tej, i pyetur nga Prokurorët në seancë se si i ka rënë në dorë audiopërgjimi, Bardhi deklaroi se ka qenë një investigim gazetaresk.
“Nuk është video-përgjim, por është audio, ishte një investigim gazetaresk. Për shkak të rrezikshmërisë së Agron Xhafajt, audioja nuk ishte çuar deri në fund. Xhafaj ishte i dënuar në Itali dhe fatmirësisht në sajë të atij publikimi drejtësia u vu në vend”, është shprehur Bardhi.
Pas dëshmisë së dhënë në Gjykatë, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, në një prononcim për gazetarët tha se ende nuk ka asnjë rezultat për hetimin.
“Atë zotërinë e shikoja për herë të parë në sallën e gjyqit. Edhe pse ka kaluar një vit nuk ka asnjë rezultat në këtë drejtim. Ende asnjë rezultat për hetimin, nuk po zbatohet ligji Antimafia. Është një proces i montuar”, u shpreh Bardhi për gazetarët.
Lidhur me hetimet për dosjen “Babale”, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Në seancën e sotme ka qenë i pranishëm vetëm Fredi Alizoti, pasi ish-deputeti Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, gjithashtu i pandehur, kanë munguar.

Në seancën e sotme gjyqësore në procesin “Babalja”, është lexuar edhe dëshmia e Agron Xhafës, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, i akuzuar për trafik droge si dhe protagonist i audiopërgjimit të Albert Veliut.
Në dëshmi, Agron Xhafaj deklaron se i ka dhënë borxh Albert Veliut, i cili luante bixhoz, por nuk ia ka kthyer. Ai ka mohuar se ka folur për trafik me të.
“Sulmet e deputetëve të PD janë për të dëmtuar imazhin e vëllait tim si ministër i Brendshëm. Nga përmbajtja e bisedës audio mendoj se është Robert Veliu. Ai vinte rregullisht dhe pinte kafe te lokali im. I kam dhënë lekë borxh se luante bixhoz. S’ka qenë korrekt në kthimin e borxheve. Mund të kem folur me të por jo për gjërat që ai pretendon”, deklaron Agron Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë