Politike

Dorëzon mandatin dhe kritikon politikën, por Këlliçi përmend Meidanin dhe Majkon si shembull pozitiv

Belind Këlliçi ka dorëzuar mandatin e deputetit me një fjalim të mbajtur në Kuvend të enjten.

“Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës. I thosha vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrige aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës. Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Këlliçi.

Por ndryshe e pa realitetin.  

 “Shpejt vura re se shenjtëri jo që nuk gjeta, por më keq, profanja, spekulimi, gënjeshtra, sulmi, urrejtja, vulgu, qenë tiparet e pandashme të Parlamentit tonë. Pothuaj asgjë këtu nuk dallova që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, me shqetësimet e tyre. Një rendje e çmendur për interesin personal, një makutëri për pushtet, një lakmi për privilegje. Nuk hasa në asnjë moment, e nuk e pashë në dy vite, atë që njihet si boja, përmasa e njeriut. Të atij e asaj që ju ka votuar, që na ka votuar, që na ka sjellë këtu të jemi besnikët e tyre, që t’u mbrojmë interesat, ëndrrat dhe aspiratat. Keni shitur shpirtin kolegë, më vjen keq ta them këtë për pjesën tuaj dërrmuese. Sepse nuk ka konkluzion tjetër, nuk ka emërtim tjetër, kur bën pabesinë e tradhtinë më të madhe, që t’i kthesh kurrizin atij që të dha gjithë këtë privilegj e bekim, që të solli në këtë sallë, pra t’i kthesh kurrizin qytetarit tënd”, tha ai.

Këlliçi kishte rezerva edhe ndaj PD kur përmendi se sherrnaja brenda saj nuk i ka ndihmuar të mbrojnë më së miri interesin e qytetarëve.

Duke mbetur tek qytetarët, Këlliçi  u fokusua tek arsyeja se pse dorëzoi mandatin.

Ai u prezantua në fjalimin e fundit në Kuvend si kandidat i gjithë qytetarëve për Tiranën.

“Jam i bindur se edhe ju, për veten tuaj e familjet tuaja, e kërkoni ndryshimin. Dhe shumë prej jush që e ka këtë mundësi, që e ka të drejtën e votës në Tiranë, jam i sigurt se do ta ushtroni në fshehtësi këtë tagër, do ta kapni këtë shans, këtë orë, që po i vjen kryeqytetit. Mos qëndroni prapa qytetarëve, në shije e në zgjedhje. Eshtë rasti të vini në mendjen e tyre, në përmasat, në lëkurën, në këpucën e atyre që ju kanë sjellë këtu. E keni 14 majin mundësi të artë, në mënyrë që të bëjmë atë ndryshim që presin qytetarët tanë prej shumë e shumë kohësh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë