Futboll

Dorëzohet Reali, i jep gjysmën e pagës klubit që do të blejë Bejlin

Real Madrid është dorëzuar, fitoi Gereth Bejl. Uellsiani është një nga ata që rëndojnë më shumë te bilanci i pagave të klubit madrilen, që po kërkon një alternativë. Askush nuk mund të shpenzojë për ta blerë sulmuesin anësor, pasi nuk mund ta përballojë pagën e tij, 14.5 milionë neto në sezon.

Bejl, edhe pse nuk po luan me Realin, nuk ka në plan ta prishë marrëveshjen. Kontrata e tij skadon në vitin 2022, ndaj dhe Reali, vetëm që të lirohet prej tij, është gati t’i paguajë gjysmën e pagës së lojtarit klubit që dëshiron ta marrë. Sipas “The Telegraph”, ky është kompromisi që madrilenët janë gati të bëjnë për të ulur sadopak shpenzimet dhe për të mos paguar plotësisht një lojtar që nuk bën pjesë në planet e trajnerit Zidane. Për dy sezonet e ardhshme, Reali do të mbulonte gjysmën e pagës së Bejlit, ndërsa tani problemi është se a do të ketë ndonjë klub interes për ta marrë lojtarin.

Gereth Bejl, sulmuesi uellsian i Realit. Gazeta Si, 10 shtator 2020

Klubi që do ta blinte, do t’i paguante uellsianit “vetëm” 7.8 milionë në vit deri në 2022-shin. Një shpenzim të tillë mund ta bëjnë vetëm klubet e Premier Ligës, i vetmi kampionat ku Bejl do të shkonte me qejf. Në Angli bëjnë me dije se Totenhemi, ish-skuadra e tij, aq më tepër që tani drejtohet nga Mourinjo, ka nisur interesimin. Trajneri portugez nuk e ka fshehur kurrë pëlqimin për futbollistin në fjalë.

Rendimenti i Bejlit në sezonin e fundit ka qenë në rënie ta jashtëzakonshme. Ai ka luajtur 20 ndeshje, 1260 minuta në total dhe ka shënuar vetëm 3 gola dhe ka dhënë 2 asiste. Mes të tjerash, raportin me klubin e ka prishur dhe kjo mjafton për të gjetur një mënyrë për ndarjen mes palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë