Futboll

Dorëzohet edhe Skerdi Bejzade, Laçi rikthen në stol trajnerin Mirel Josa

Gazeta Si - Skerdi Bejzade është larguar nga stoli i Laçit. Trajneri kryeqytetas mësohet se ka ndërprerë kontratën me Laçin, ekipin që e drejtoi disa javë, pas largimit të Stavri Nicës që në javën e parë të këtij kampionati.

Laçi në fakt është një ambient pak i vështirë për trajnerët. Bejzade e kishte të qartë këtë fakt, por tentoi të bënte diçka. Pas humbjes me Dinamon edhe ai është dorëzuar, duke bërë që drejtuesit e klubit të vihen në kërkim të trajnerit të 3-të, kur kanë kaluar vetëm 6 javë kampionat.

Ndarja mes Bejzades dhe Laçit është bërë me konsensus. Në stolin e Laçit do të rikthehet ndërkohë Mirel Josa. Trajneri njohur e merr drejtimin e kësaj skuadre me 7 pikë pas 6 ndeshjeve të luajtura deri tani. Josa e njeh ambientin dhe shihet si trajneri i duhur për ta ngritur ekipin kurbinas në klasifikim.

Gjatë kësaj kohe kanë ndërruar trajneri edhe dy klube të tjera të Superiores, Kukësi dhe Teuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë