Politike

PD: Djegim mandatet. Qeveri tranzitore, zgjedhje para kohe

Për më shumë se dy orë Partia Demokratike diskutoi në lidhje me idenë e hedhur nga ana e kryedemokratit Lulzim Basha për dorëzimin e mandateve. Grupi votoi pro, por vendimin final do e marrë Këshilli Kombëtar i PD.

Kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për mediat ka deklaruar zyrtarisht se grupi parlamentar vendosi të djegë mandatet, duke numëruar arsyet që çuan në këtë vendim.
“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, për shkak të kapjes në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, kapje së drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes së të drejtave të njeriut që kanë shkaktuar një situatë të pa precedentë të krizës politike dhe gjendjes katastrofale të mjerimit sociale, duke mbështetur propozimet e opozitës, për një qeveri tranzitore, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit e mafies në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Grupi i PD autorizoi kreun e PD-së të ndjekë hapat e mëtejshëm”, tha Basha.

Debati me dyer të mbyllura

Pas protestës së 16 shkurtit, kryedemokrati shpalli publikisht se do t’i kërkonte forumeve të PD-së që të ndërmerrnin nismën për dorëzimin e mandateve.
“Ne jemi në borxh me qytetarët, ata na dhanë besimin, ne duhet të jemi me ta. Gjendja është emergjencë kombëtare. Ky është hap nga pozita e dominimit të forcës popullore. Na takon ne të udhëheqim shqiptarët”, mësohet se është shprehur Basha në këtë mbledhje. Sipas tij, pjesëmarrja e lartë e njerëzve në protestë është një nga arsyet që ka ndikuar në këtë vendim.
Pas fjalës së mbajtur nga Bashës, radha i ka ardhur deputetëve që të mbajnë qëndrimet e tyre. Pjesa më e madhe kanë qenë pro propozimit të kryedemokratëve. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho duke e mbështetur idenë për dorëzimin e mandateve të deputeëve ka deklaruar se PD nuk duhet të lëvizë nga ky qëndrim. “Në zgjedhje me Edi Ramën si kryeministër nuk hyjmë, se ai prapë do na i vjedhë. Kështu që djegia është presioni më i mirë dhe dalja në krah të vullnetit të qytetarëve”, theksoi Spaho.

Ndërsa deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka deklaruar se duhet të dorëzojmë që sot mandatet, duke kërkuar hartimin e një strategjie, se si do të veprohet për djegien e mandateve. “Jam dakord që t’i djegim që sot, por duhet të hartohet një strategji për t’u organizuar fort”, mësohet se ka deklaruar Salianji.
Deputeti demokrat ka kërkuar që të njihet me teknikalitetet ligjore për mënyrën e dorëzimit të mandateve.
Ish-kryeministri Sali Berisha mësohet se ka mbështetur tezën e hedhur nga ana e Bashës. Ai e cilësuar si një veprim më ekstremi që është ndërmarrë ndonjëherë. “Duhet të ndërmarrim çdo akt që na çon tek rrëzimi i Ramës. Prova e këtij vendimi është nëse ne me aksionin qytetar politik do ti kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë”, mësohet se ka deklaruar Berisha në mbledhje.
Pas këtyre qëndrimeve mësohet se do të jenë forumet e PD-së, si kryesia që do të vendosë për vendimin përfundimtar nëse do të digjen mandatet e deputetëve. Sot mbledhja e grupit të PD-së, ishte për njohjen e qëndrimit paraprak të deputetëve.

Aleatët PD mungojnë në mbledhje
Në mbledhjen e grupit të PD-së mësohet se kanë munguar aleatët e demokratëve si Dashamir Shehi i LZHK-së, Nard Ndoka i PDK-së dhe Fatmir Mediu i PR-së. Sipas burimeve mësohet se dy aleatët nuk ishin në mbledhje, pasi kërkojnë që të zhvillojnë një takim më vete, më të ngushtë me Bashën. Ndërsa Mediu, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë ka deklaruar se vendimin e kryedemokratit e ka mësuar nga media. Sheshi dhe Ndoka janë shprehur se në parim janë dakord, por presin që të takohen me kryedemokratin Basha në lidhje me këtë vendim.
Ndërkohë që pro djegies së mandateve janë shprehur edhe aleatët e tjerë të PD-së, si Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së, partitë e të cilëve nuk kanë deputetë në parlament.

Qëndrimet e deputetëve në mbledhje


Andon Frrokaj- Pro djegies, ne i paraprimë me sakrificë. Ne duhet të dalim t’i themi qytetarëve jemi si ju, pa asnjë ndryshim. Është koha për veprim. Ajo pjesmarrje është miratim për ne, ne jemi shumicë sot me qytetarët. Unë jam i gatshëm, por përballemi drejtpërdrejtë me të. Ai ka votuar ca ka dashur, me në Parlament.
Edmond Spaho– VOA ka dalë edhe ka pranuar që zgjedhjet janë vjedhur dhe janë kapur nga Rama. Nuk duhet kalojë kaq lehtë. Akuza që na kanë vënë është qe nuk i çojmë gjërat deri në fund. Kështu që nuk duhet të levizim nga djegia e mandateve. Në zgjedhje me Ramën nuk hyjmë se ai prapë do na i vjedhë. Kështu që djegia është presioni më i mirë dhe dalja në krah të vullnetit të qytetarëve.
Agron Shehaj– Largimi i Ramës nuk është garancia e vetme për zgjedhjet e lira. Ne duhet të vëmë kusht hetimin e Ramës dhe arrestimin e atyre që kanë vjedhur në 2017. Unë jam dakord që mandatet duhen djegur, kjo është gjëja e duhur. Çështjet teknike i zgjidhni ju. Ne s’duhet t’i afrohemi Parlamentit dhe komisioneve. Rama ka nevojë për normalitet, ne jo.
Klevis Balliu– Pro djegies së mandateve, është sakrificë minimale për qytetarët. Mandatet tona nuk kanë vlejtur në parlament. Kauza është më e rëndësishme sesa mandatet. Rama është rrezik kombëtar, t’i bashkohemi shqiptarëve pa mandate siç janë ata.
Florion Mima- Njerëzit na thonë ju rrogat i merrni, ne vdesim për bukë. Unë jam për djegje mandatesh në mënyre absolute. Nuk jam për asnjë skenar tjetër, kjo është rruga e vetme. Bashkë me qytetaret aty.
Oriola Pampuri– Akti më sublim që mund të bëjmë. Do mbahet mend gjatë dhe mbështes propozimin tuaj për djegie mandatesh.
Gent Strazimiri– Kemi gjithçka në Parlament, por politikë nuk kemi bërë dot. Aty nuk arrihet të behet politike. Kështu që jam pro. Nuk ka moment më të mire pas përgjigjes që na dha populli në 16 shkurt. Ata që na dhanë mandatin, i themi ne nuk bëjmë dot politikë në atë Parlament, ja mandati ja u kthejmë juve. Është fillimi i një rruge për demokraci. Për komunistët Parlamenti ka qenë legjitim edhe 46 vjet pa opozitë. Ata janë mësuar me regjim. T’i hapim betejë.
Ervin Salianji: Duhet të gjejmë hapësirat ligjore për t’i dorëzuar që sot. Duhet të ndërtojmë strategji të qartë për t’u organizuar fort.
Sali Berisha: Vendim që nuk është marrë në Shqipëri ndonjëherë. Vendim në rrafshin politik, më ekstremi. Por e kërkon situata politike. Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marre një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptaret të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, qe nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptaret të jenë të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë