Lajme

Dorëhiqet prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Petrit Fusha

Pas një përvoje 32-vjeçare, ka dhënë dorëheqjen prokurori Petrit Fusha, i cili del kështu nga radhët e sistemit të drejtësisë.
Mësohet se ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, i cili aktualisht ishte prokuror në institucionin qendror të akuzës e ka paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vetë prokurori Fusha në një deklaratë thotë se përvojën që ka mund ta përdorë në ndonjë aktivitet tjetër me më pak ngarkesë. Sipas tij, Prokuroria nuk është më vendi ku mund të shërbejë.
“Pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë.
Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta. Një profesionist në moshën time natyrshëm zgjedh me maturi vendin se ku mund të kontribuojë më mirë.
Ndaj gjykova se Prokuroria nuk është më vendi ku unë mund të shërbej me përvojën 32-vjeçare. Një përvojë e akumuluar tashmë nga procese hetimore e gjykimi të çdo lloj çështje e niveli.
Në këto kushte ju paraqes sot dorëheqjen time nga detyra e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe nga shërbimi i Prokurorisë”, shprehet prokurori Fusha.
Ndërkohë pritet që shkalla e parë e vettingut të ndërpresë procesin e rivlerësimit për subjektin Fusha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë