Lajme

Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj

Vetëm 7 muaj pas marrjes së detyrës, dorëhiqet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj. Mësohet se ai është zëvendësuar nga Gjon Bardhi që mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion.
Arsyet e largimit të Gjokutaj nuk dihen ende dhe e vetmja e dhënë që mund të lërë vend për interpretim është realizimi i planeve lidhur me të ardhurat në arkën e shtetit.
Ky vendim përkthehet në mungesë rezultatesh nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë reflektonin një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat që i përgjigjet një shume prej 5 miliardë lekësh.
Gjokutaj u emërua në detyrë, në fund të marsit në të njëjtën kohë me Enton Duron te Tatimet, por ky i fundit u largua në korrik të këtij viti, duke mbajtur pozicionin për vetëm tre muaj.
Më herët, Arlind Gjokutaj mbante pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë