Politike

Dorëheqja në dorë të Bashës, Gjana: Statuti nuk e detyron

Lulzim Basha nuk është i detyruar që të japë dorëheqjen, por mund të kandidojë si kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme që kjo forcë politike zhvillon më 13 qershor.

Interpretimin e statutit të partisë e bëri Jemin Gjana.

“Është debatuar shumë në 2017-ën në Kuvendin Kombëtar të PD nëse duhet të kishte një normë statutore që e detyron dorëheqjen e kryetarit dhe ajo nuk është miratuar”, deklaroi Gjana para mediave.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve brenda PD, siç mori mandatin një ditë më parë nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar, vlerëson se dorëheqja, apo jo është në dorë të Lulzim Bashës.

“Në statut nuk ka detyrim dorëheqje, pjesët e tjera duhet janë individuale”, tha ai.

Dorëheqja e Bashës kërkohet nga grupimi “Për PD”, ku bëjnë pjesë emra si Bujar Nishani, Arben Ristani, Arben Imami e të tjerë.

Në lidhje me dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kandidatët që do të rivalizojnë Bashën më 13 qershor, ai pritet që të jetë formulari i kandidatëve për deputetë. Deri më tani, vetëm Fatbardh Kadilli ka shprehur publikisht ambicien për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë