Analize

Dorëheqja e papritur e njeriut të Ballkanit në Administratën Trump

"Kam dy arsye të mëdha për të dhënë dorëheqjen e tij. "Njëri quhet Uesley, im bir dhe tjetra quhet Charlote, vajza ime e vogël”. Me këtë argument njeriu më i specializuar për çështjet e Ballkanit Perëndimor në Administratën Trump dha papritur dorëheqjen. Letra e largimit të Wess Mitchell, diplomatit kryesor për çështjet europiane nga Departamenti i Shtetit, lë një boshllëk të madh në Shtëpinë e Bardhë.

Largimi tij erdhi jo vetëm në një kohë që liderët europianë po vënë në pikëpyetje angazhimin e Presidentit Trump për aleancat historike, por edhe ndërkohë që SHBA-ja ka marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mitchell konsiderohet si një ekspert për NATO-n, konfliktet ballkanik dhe marrëdhëniet transatlantike. Diplomati amerikan është po ashtu i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë.

Në një letër të pazakonte dorëheqjeje për Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, 41 vjeçari përmendi arsyet personale dhe profesionale,duke thënë se këto dy vite i kishte arritur të gjitha qëllimet që i kishte vënë vetes kur erdhi në krye të detyrës. Dita e tij e fundit si Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike do të jetë 15 shkurt.

"Ndërsa administrata përfundon vitin e saj të dytë në detyrë, mendoj se kam arritur gjithçka që i kisha vendosur vetes si detyre në marrjen e këtij pozicioni," shkroi ai, duke përmendur zhvillimin e një strategjie për Europës Juglindore dhe ndihmesën që i kishte dhënë zotit Pompeon të ambientohej me politikat dhe detyrat si Sekretar Shteti pas largimit të Rex Tillerson në mars.

Wess Mitchell

"Tani besoj se ka ardhur koha që të kaloj më shumë kohë me familjen time, të cilët kanë kaluar shumë ditë pa mua gjatë muajve të fundit", shton diplomati amerikan.

Në një intervistë, Mitchell tha se dorëheqja e tij nuk vjen për shkak të kundërshtimit të politikave të Administratës Trump apo drejtimi që ka marrë politika e jashtme nën udhëheqjen e Trump, duke theksuar se e vlerësonte shumë vizionin e zotit Pompeo.

"Jam plotësisht mbështetës i punës së tij ", tha ai. "Por ndej se e kam arritur atë për të cilën kam ardhur. Fëmijët e mi kanë nevojë më shumë për kohën time sesa publiku. "

Mitchell do t’u bashkohet një radhe të gjatë të zyrtarësh të lartë që lënë administratën Trump në fillim të vitit të tretë të mandatit presidencial. Largimi i tij vjen pothuajse një vit pasi H.R. McMaster, këshilltari i sigurimit kombëtar, u shkarkua papritur

Mitchell erdhi në Departamentin e Shtetit pas themelimit të një instituti analitik për politikat europiane. Pak para ardhjes në detyrë, eksperti i politikave europiane dhe ballkanike sapo kishte publikuar librin "Kufijtë e pakënaqësisë", nëpërmjet të së cilti kritikonte politikën e jashtme të Presidentit Barak Obamas dhe kërkonte "rinovimin" e aleancave historike.

Gjatë 16 muajve të tij në krye të Byrosë për Euroazinë, Mitchell mbikqyri marrëdhëniet me 50 vende dhe blloqe të rëndësishme si NATO-n dhe Bashkimi Europian. Ai ishte edhe mjaft në Ballkan, ku zhvilloi nj sërë vizitash të profilit të lartë në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi.

Wess Mitchell dhe presidenti Hashim Thaci

Mitchell, njeriu i Ballkanit në Administratën Trump

Në udhëtimin e tij të parë në Ballkan, Mitchell deklaroi se pa një "dritare e mundësie" për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve afatgjata që kanë mbajtur rajonin të “gjunjëzuar” për dekada.

Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit duket se ishte forca lëvizëse prapa gatishmërisë së SHBA-së për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura në rajon, sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë. Mitchell filloi turneun e tij në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Kosovë, e cila u pasua me pas nga takimet me zyrtarë të lartë në Maqedoni dhe Serbi.

Gjatë vizitave të njëpasnjëshme në Prishtinë, Kosovë, ai theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me Beogradin dhe i siguroi presidentit Hashim Thaçi një sërë takimesh të nivelit të lartë në Uashington, përfshirë edhe ato me presidentin Dondal Trump. Gjatë verës së kaluar, Mitchell zhvilloi një sërë vizitash maratonë Beograd-Prishtinë duke ndërmjetësuar bisedimet mes dy palëve.

Diplomati ishte zyrtari i parë amerikan që mbështeti krijimin e ushtrisë së Kosovës, duke deklaruar gjatë një prej vizitave të tij në Beograd se transformimi i FSK-së nuk përbënte një kërcënim për serbët dhe Serbinë. "Askush nuk ka të drejtën të vërë veton mbi sigurinë e Kosovës", tha Mitchell para gazetarëve.

Mitchell u përfshi po ashtu në zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. Ai vizitoi dy herë Shkupin para mbajtjes së referendumit të shtatorit, duke u bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë të mbështetnin këtë pakt historik që do t’i hapte rrugën vendit të tyre për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare

Wess Mitchell dhe Aleksandër Vuçiç

Ndërkohë, gjatë një takimi me ish-Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mitchell vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndihmës Sekretari vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO dhe në koalicionin për fitoren mbi ISIS si dhe në promovimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai përgëzoi Qeverinë Shqiptare për përpjekjet e saj në zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, edhe pse pak kohë pas takimi anuloi një vizitë të planifikuar në Tiranë, për arsye që mbeten ende të panjohura.

Misioni i Mitchell në Europë

Mitchell i gjeti marrëdhëniet SHBA-Europë më konfuze se kurrë. Rusia vazhdon të jetë nën darën e sanksioneve të rënda të Shteteve të Bashkuara, Britania është e gjunjëzuar për shkak të Brexit dhe i ka hedhur sytë nga Uashingtoni në kërkim të aleatëve. Turqia ka arrestuar punonjësit e Konsullatës Amerikane ndërsa Hungaria udhëhiqet nga një populist i krahut të djathtë që po forcon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me Rusinë,

Në udhëtim e tij të parë si Ndihmës Sekretar Shteti, Mitchell udhëtoi drejt Polonisë dhe Lituanisë për të parë nga afër sfidat e kërcënimit rus në këto vende. Në Europën Qendrore dhe Lindore, Mitchell duket se ndoqi politikën e Obamës duke bërë një “sy qorr” ndaj faktit se udhëheqësit autoritarë ishin duke shkelur të drejtave të njeriut dhe i trajtoi ata si partnerë të besueshëm. Pavarësisht alarmit të avokatëve të të drejtave të njeriut, ministri i jashtëm i Hungarisë pati një sërë takimesh të nivelit të lartë në Uashington Mitchell, Pompeon dhe John Bolton, këshilltarin e sigurimit kombëtar.

Mitchell e konsideroi partneritetin me Viktor Orban të nevojshëm për të kundërshtuar përhapjen e influencës ruse dhe kineze.

Wess Mitchel dhe Zoran Zaev

"Ne duhet të konkurrojmë për përhapjen e ndikimit pozitiv në këtë pjesë të Europës ," tha ai. "Nuk mund t’u afrohemi këtyre vendeve me një ‘tufë’ kritikash, duke i përjashtuar nga takimet zyrtare, apo duke i kritikuar publikisht dhe pastaj të supozojmë se këto vende do të vazhdojnë të mbeten pjesë e sferës perëndimore”.

Mitchell u kthye në një urë komunikimi mes Brukselit dhe SHBA-së, ndërkohë që zyrtarët e lartë amerikanë kanë qenë skeptikë për vlerën e organizatave ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Bashkimin Eyropian.

Trump e ka quajtur NATO "të vjetruar". Gordon Sondland, ambasadori i SHBA në Bashkimin Europian deklaroi se unioni ka humbur "kontaktin me realitetin", ndërkohë që Pompeo i bëri thirrje BE-së të sigurohej që interesat e shteteve dhe qytetarëve të tyre të vendoseshin përpara interesave të burokratëve të Brukselit.

Mitchell duket se ndante shqetësime të njëjta me zyrtarët e tjerë amerikanë, por përdori një ton me pak konfrontues. Ai tha se aleancat ndërkombëtare janë të shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, por se Europa dhe aleatët e tjerë duhet të ndajnë shpenzimet në kohë kur borxhi kombëtar i SHBA-së është 21 trilionë dollarë. Megjithatë, pavarësisht përplasjeve , Mitchell këmbëngulte vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara duhet mbeten të përkushtuara ndaj aleancave tradicionale, veçanërisht NATO-s.

Në përfundim të letrës së tij, diplomati amerikan shkruan se është krenar për punën e tij, duke theksuar se për momentin nuk e priste asnjë detyrë tjetër, përveçse t’i mësonte djalit të tij të luante basketboll dhe të çonte vajzën e tij në kurset të para të baletit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë