Treg

“Domatja e Myzeqesë ka hyrë në Europë, por ju po na falimentoni!”

Shoqata “Fermerët e Myzeqesë” ka organizuar sot një protestë paqësore në qytetin e Lushnjes.

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, fermerët e rajonit u mblodhën në orën 12:00 pranë Rotondos në Savër të Lushnjes dhe nisën të ecnin në qytet drejt Prefekturës të shoqëruar nga kordoni i forcave të Policisë së Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Me pankarta në duar si “Z. Kryeministër, domatja e Myzeqesë ka hyrë në Europë, Pa mbështetje, po falimentojmë, duke braktisur fermerët, keni braktisur Shqipërinë”, etj, ata u shprehën për Gazetën “Si” se protesta ka për qëllim sensibilizimin e qeverisë për situatën e vështirë që po kalojnë fermerët dhe blegtorët nga çregullimet e tregut si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë.

Fermerët e Myzeqesë i kërkojnë qeverisë mbështetje direkte financiare duke subvecionuar për çdo njësi produkti të hedhur në treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim të eksportuesëve .

Fermerët kërkojnë gjithashtu kompensim me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çregullime të forta tregut.

Ata i kërkojnë qeverisë që në paketën fiskale 2020 të rregullohet TVSH-ja për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse sipas fermerëve, aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së (0-20%) nga blerja tek shitja për të njëjtin produkt dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensimi i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë, thonë fermerët, i ka detyruar të furnizohen me produktet analoge nga importi dhe të braktisin produktin vendas.

Fermerët kanë gjithashtu nevojë nga Ministria e Bujqësisë që tu ofrojë ekspertë dhe laboratorë për analziat e tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore, kontroll dhe monitorim të produkteve të tyre nëpërmjet një laboratori të akredituar.

Po ashtu fermerët e Myzeqesë kërkojnë hartimin e një ligji që të rregullojë kushtet dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat në treg.
Kjo është protesta e dytë e “Shoqatës së Fermerëve të Myzeqesë” pas asaj që organizuan pak kohë më parë në urën e Kuçit midis Beratit dhe Lushnjes.

“Këtë herë porotesta ishte paqësore për të sensibilizuar qeverinë, megjithëse nuk pati asnjë reagim nga pushteti vendor.”- thë një nga organizatorët për gazetën “Si”.
Fermerët do të organizojnë një tjetër protestë brenda javës duke bllokuar rrugët ose përpara Ministrisë së Bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë