Para

Dollari po rikuperohet pas parashikimeve se SHBA do rrisë sërish normat

Dollari amerikan është forcuar lehtë për shkak të parashikimeve se normat e interesit në SHBA do të qëndrojnë të larta për një kohë më të gjatë.

Gjithashtu, investitorët janë të fokusuar te bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit në Shtetet e Bashkuara. Një zyrtar i lartë i Rezervës Federale deklaroi se norma bazë e interesit duhet të shkojë në 6%, në mënyrë që inflacioni të shkojë brenda objektivit prej 2%.

Tashmë, investitorët po vlerësojnë 26% mundësi që rezerva Federale të rrisë edhe me 0.25% normën bazë të interesit në takimin e muajit të ardhshëm.

Për sa i përket bisedimeve të borxhit, presidenti amerikan, Joe Biden dhe spikeri i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy i përfunduan diskutimet e së hënës pa një marrëveshje.

Palët kanë edhe 10 ditë kohë, për të shmangur një falimentim të ekonomisë amerikane.

McCarthy u tha gazetarëve pas më shumë se një ore bisedimesh me Biden se negociatorët "do të mblidhen së bashku, do të punojnë gjatë gjithë natës" në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët.

"Unë besoj se ne ende mund ta arrijmë [marrëveshjen]", tha McCarthy.

Ai nuk është i gatshëm të marrë në konsideratë planin e Biden për të ulur deficitin duke rritur taksat për të pasurit dhe duke mbyllur boshllëqet e taksave për industrinë e naftës dhe industrinë farmaceutike. McCarthy tha se është i fokusuar në reduktimin e shpenzimeve në buxhetin federal për vitin 2024.

Demokratët dhe republikanët kanë afat deri më 1 qershor për të rritur kufirin e vetëhuamarrjes së qeverisë, ose përndryshe do të rezultojë në një falimentim të paprecedentë të borxhit. Ekonomistët paralajmërojnë se mospagimi i borxhit mund të çojë në një recesion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë