Politike

Dokumenti i plotë, si do renditen aleatët e Bashës në koalicionin “PD-AN”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjen e përbashkët  me partitë aleate. Emri i koalicionit do të jetë  “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, me shkronjat nistore “PD-AN” .

“Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë”, është zotimi i partive aleate.

Dokumenti ka një përmbajtje të përgjithshme, pasi detajet për secilën prej partive aleate janë të përcaktuara me anekse të veçanta.

Në marrëveshje thuhet se aleatët do të përfaqësohen me emra kandidatësh në listë, në bazë të rezultateve të mëparshme zgjedhore.

Poshtë emrit të koalicionit opozitar do të shkruhen emrat e partive që janë pjesë e koalicionit. Kandidatët në listë duhet të jenë kandidatë të koalicionit dhe jo të partive, njësoj siç u veprua në 2017-ën.

“Vendosëm që të formojmë një koalicion për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021. Partia udhëheqëse është Partia Demokratike. Të autorizojmë z. Lulzim Basha që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

Po kështu autorizohet Ivi Kaso që: Të paraqesë kërkesë për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së, të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit si dhe të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.

 “Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit ë përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr. 1 dt. 23.12.2020 të KQZ. Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësve partiake”, vijon dokumenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë