Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të ministrisë së jashtme iraniane, Esmail Baghaei i cili hodhi poshtë akuzat e kreut të qeverisë shqiptare (që tha se pas protestave janë iraniantët), duke thënë me ironi se pas këtyre pretendimeve mund të thuhet edhe se flamingot janë agjentë sekretë iranianë.
“Irani? Ndoshta do të thonë se edhe flamingot ishin agjentë sekretë iranianë”, ironizoi Baghaei.
Në një postim në X, Rama i është përgjigjur, duke thënë “Oh, vërtet? Pra tani papritur ju interesoheni për popullin shqiptar? Pikërisht për të njëjtin popull shqiptar, institucionet, shërbimet publike dhe infrastruktura digjitale e të cilit u bënë objekt i një fushate kiberterroriste që synonte paralizimin e një shteti të tërë dhe që hetimet ndërkombëtare e kanë lidhur me aktorë të mbështetur nga regjimi juaj”, thotë Rama, duke shtuar se i njeh shumë mirë ato gjurmë, metodat, kërcënimet.
“Dhe ne e dimë se ajo që e ka ushqyer armiqësinë tuaj ndaj Shqipërisë nuk ka qenë kurrë sionizmi, apo ndonjë slogan tjetër i përshtatshëm i propagandës suaj të neveritshme. Ka qenë armiqësia juaj ndaj vetë lirisë. Ju nuk ia falni Shqipërisë faktin që bëri atë që bëjnë shqiptarët: Hapjen e dyerve për njerëzit që ikin nga persekutimi”, thotë Rama.
Ai shton gjithashtu se Irani nuk ia fal Shqipërisë që strehoi burra dhe gra iraniane, “të cilët ju kërkuat t’i heshtnit përmes frikës, burgosjes dhe vdekjes, vetëm sepse guxojnë të mendojnë ndryshe, të flasin ndryshe ose të ëndërrojnë ndryshe”.
“Por ne jemi shqiptarë. Ne nuk i braktisim njerëzit që trokasin në derën tonë duke kërkuar mbrojtje nga shtypja. Dhe nuk do t’i zhgënjejmë iranianët që kërkojnë siguri nga frikësimi, persekutimi apo atentatet. As nuk do të dorëzohemi përballë sulmeve tuaja të dëshpëruara dhe të pandërprera kibernetike”.
Rama vijon më tej duke thënë se pas sulmit madhor, ne ndërtuam një mburojë moderne dhe të fuqishme kibernetike që e ka bërë Shqipërinë shumë më të fortë dhe shumë më të përgatitur për t’u përballur me sulmet e vazhdueshme të Iranit, tashmë pa sukses.
Kreu i shtetit thotë se populli iranian meriton lirinë, dinjitetin, të drejtën për të folur pa frikë dhe Shqipëria nuk do të kërkojë kurrë falje, nuk do të tërhiqet kurrë dhe nuk do të frikësohet kurrë pse qëndron në anën e këtyre vlerave.
“Prandaj vazhdoni të manipuloni dhe të mashtroni këdo në Perëndimin shumëngjyrësh që është i gatshëm të bjerë pre e gënjeshtrave tuaja.
Por ju nuk do t’i bëni kurrë shqiptarët armiq të popujve, qofshin hebrenj, arabë apo amerikanë.
Sepse ajo që ata ndajnë mes tyre, dhe ajo që ju e frikësoheni më shumë, janë pikërisht ato gjëra që ia keni mohuar kombit tuaj për shumë gjatë:
Shpresat e mëdha, ëndrrat e mëdha dhe vendosmëria për të jetuar të lirë, për të kërkuar paqen dhe për të ndërtuar pa u ndalur mirëqenie”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje