Lajme

Do të shpërndanin drogë, arrestohen 4 persona në Elbasan

Në sajë të një aksioni antidrogë në qytetin e Elbasanit, është goditur një grup që ushtronte veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Policia e Elbasanit bën me dije se ka arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Nga ky operacion janë sekuestruar lëndë narkotike, automjete dhe celularë.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit R. R., 26 vjeç, B. A., 26 vjeç, D. P., 25 vjeç dhe V. T., 51 vjeç, të gjithë banues në Elbasan.
Gjithashtu u shpallën në kërkim policor tre shtetas të tjerë, për të cilët, për arsye hetimi, nuk janë bërë me dije të dhëna të tjera.
Gjatë operacionit, në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. T., u gjet një sasi prej rreth 11 kg Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjete dhe tre aparate celulare.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sasinë e lëndës narkotike, do ta shpërndanin në qytetin Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë