Politike

Meta: Mafia nuk heton vetveten! Institucionet ranë

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me një postim të gjatë në rrjetet sociale ku shpjegon se përse është detyruar që t’i drejtohet popullit për t’iu kundërvënë atij që e quan grusht shteti. Meta thotë se institucionet kanë rënë dhe se “kur rrëzohen institucionet, ngrihet populli”.

“Sepse sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit shqiptar. Të gjithë ne të tjerët, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, jemi vetëm ushtrues të përkohshëm të këtij sovraniteti dhe asgjë më shumë”, deklaron Presidenti.

Meta thotë se e ka kryer detyrën e tij duke iu drejtuar zyrtarisht me letra Kuvendit dhe Gramoz Ruçit si kryetar i këtij institucioni për bashkëpunim në mënyrë që të shmangej situata e bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazja e Gjykatës Kushtetuese.

“Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s'na kontrollon njeri. Sa shkresa zyrtare i ka dërguar Presidenti, Kuvendit vetëm këtë vit për tejkalimin e situatës së rëndë në Gjykatën Kushtetuese? Nuk numërohen. Të gjitha me etikë dhe frymë pozitive për bashkëpunim në respekt vetëm të Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. A mori ndonjë përgjigje bashkëpunuese? Zero!”, vijon më tej postimi i Metës.

Presidenti shprehet se me letra zyrtare i është drejtuar edhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të respektohej radha e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, por as nga ky institucion nuk ka marrë mbrapsht përgjigje zyrtare, përkundrazi akuzon Ardian Dvoranin se shkeli edhe vetë vendimet e KED-së.

“Po ky Dvorani që s'ka asnjë kompetencë tjetër veç të qenit korrier i vendimeve kolegjiale të KED, përse nuk i nisi të katër vendimet njëherazi edhe Presidentit edhe Kuvendit në një ditë siç vendosi KED? Kush i tha këtij t'ia niste Presidentit të dy vakancat njëherazi dhe Kuvendit t'ia çonte me kokën e tij 6 ditë më vonë?”, thotë Meta.

Meta rithekson rëndësinë e radhës në emërime.

“Nëse sipas këtij (Dvoranit), radha s'qenka e rëndësishme, edhe pse është detyrim kushtetues, lind pyetja e pafajshme e çdo fëmije: Përse xhaxhi Dvorani nuk ia nisi në fillim dy vakancat Kuvendit e pas 6 ditësh t'ia çonte Presidentit? S’e ke degjuar ti xhaxhi Dvorani, xhaxhi Gramozin dhe xhaxhi Ulsiun që thonë çdo ditë që Parlamenti është i pari se jemi Republikë Parlamentare, e jo Presidenciale?”, vijon më tej postimin e tij Presidenti.

Meta e konsideron Ardian Dvoranin në krye të KED-së si rrezik shtetëror dhe shoqëror dhe akuzon drejtësinë e re se nuk po vepron për kallëzimin që ai ka bërë ndaj tij për shpërdorim detyre dhe përvetësim kompetencash.

“A nuk ndoqi Presidenti rrugën institucionale duke shkuar vetë në Prokurori përpara 100 ditësh për kallëzimin penal ndaj Dvoranit i cili çdo ditë që rri në atë detyrë përbën një rrezik shtetëror dhe shoqëror? Cili ka qenë reagimi nga “Drejtësia e Re”? Heshtje. Ndërkohë që Prokuroria duhet të niste vetë hetimin prej muajsh edhe ndaj celulës mafioze dhe falsifikatore në krye të Ministrisë së Drejtësisë që kishte botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të KED për qëllime mashtrimi të opinionit publik e ndërkombetar me objektiv të vetëm rrëmbimin e shumicës në Gjykatën Kushtetuese të vendit”, thotë ai.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2828130967233158?__tn__=K-R

Arsyeja se përse nuk nisin hetimet, thotë Meta, është se mafia nuk mund të hetojë vetveten.

“Ndaj vendosi të ngutet në panik të miratojë në mënyrë të pabesë ligjin antikushtetues "Të betimit buzë Lanës" një ditë para mbërritjes së Komisionit të Venecias duke shkelur çdo kod të sjelljes demokratike e institucionale dhe duke iu lutur përfaqësuesve të Komisionit të Venecias që të mos iu përgjigjen pyetjeve që Kuvendi u kishte drejtuar prej tre muajsh, me argumentin se "ne e votuam mbrëmë atë ligj”, vijon ai.

Meta zbulon edhe arsyen se përse i duhej me nxitim ky ligj mazhorancës.

“Që Dvoranin, jo vetëm të mos e ndëshkojë drejtësia për shkeljet e rënda penale që ka bërë, por ta dekorojnë duke e futur përmes këtij ligji anti-kushtetues nga oxhaku në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai.

Veç Dvoranit, Presidenti thotë se do të “rehabilitohet” edhe Arta Vorpsi.

“Po kështu edhe atë ngelësen e provimit të Magjistraturës, që Dvorani e nxori të parën në të katër vakancat, si mund ta lenë në baltë, kur ajo për hir të Partisë u betua në Lanë. Dhe kuptohet që kur Gjykata Kushtetuese të mbushet me këta, mos kini asnjë dyshim se Etilda do të mbajë një fjalim plot "Etikë", e madje do i dalin dhe lot gëzimi nga kontributi i saj për realizimin e kryeperlës së Ramaformës”, shton Presidenti.

Meta u kërkon qytetarëve që të zgjohen dhe ngrihen sepse institucionet kanë rënë përtokë. Ai e sheh manifestimin si të vetmen rrugë për të rivendosur sovranitetin dhe 2 marsin si manifestimi historik e koha kur sovrani do të rimarrë fatet në dorën e vet.

“E gjithë bota demokratike ta shohë se jemi komb shqiponjash që s'mund të përdhosemi nga një bandë sorrash”, mbyll reagimin e tij Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë