Ka ndodhur

Do të përllogariteshin vitet e dënimit, shtyhet seanca për Zani Çaushin

Shtyhet seanca për ish-kreun e bandës së Vlorës më 1997, Myrteza Zani Çaushi, në Gjykatën e Korçës.

Në Gjykatë do të mbahej seanca për të përllogaritur vitet e dënimit që ka vuajtur deri më sot Zani Çaushi prej ditës së parë në burg.

Seanca u shty pasi nuk u paraqit përfaqësuesi i burgut të Drenovës.

Të pranishëm kanë qenë gjyqtari Ervin Sula, prokurori Genti Stoja dhe avokati i Zani Çaushit, Arben Lena.

Në fakt, Çaushi ka kërkuar të lirohet nga burgu dy herë këtë vit. Njëherë për shkak se pretendonte se ka kryer 25 vite burg dhe është rehabilituar duke shtuar faktin se ishte dhe familjar. Ai kërkoi lirim me kusht por u tërhoq. Më pas ngriti tezën se duhet t’i njihen vitet në paraburgim dhe duhet të lirohet.

Myrteza Çaushi, njeriu i konsideruar si “i forti” i Coles, u arrestua në shtator të 1997 dhe pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të 1999-s.

Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Çaushi u arrestua në nëntor të 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qelitë e burgut, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë