Mjedis

Do të hiqen lejet mjedisore për bizneset e vogla

Pas debateve në distancë me kryebashkiakun Veliaj për lejet mjedisore, i cili kërkonte që t’u kalonin bashkive, Klosi ka prezantuar sot një nismë të re, që kërkon heqjen e plotë të lejes mjedisore të tipit C.
Sipas ministrit Klosi, ndotësit e vërtetë të mjedisit nuk janë bizneset e vogla, që janë poshtë pallateve, dhe ministria që ai drejton do të fokusohet te lufta me ndotësit e vërtetë të mjedisit.
“Një nga problematikat më të mëdha kanë qenë ato të biznesit të vogël. Me një vendimmarrje të 2014-2015, kur ligjvënësi ka qenë i detyruar dhe ka menduar se ishte e nevojshme që të ishte i pajisur me një leje. Është kthyer në një barrë të plotë të biznesit tonë. Leja është shndërruar në një leje kufizuese. Ka ardhur pika e vlimit dhe ne duhet të ndryshojmë. Nuk është leja mjedisore ajo që lejon një furrë buke apo një klub. Këto biznese ndikojnë në mjedis por në lagje dhe një pallat. Ka nivel të ulët shkarkimesh në ajër, ujë dhe tokë. Gjenerojnë mbetje të riciklueshme. Duam të heqim kategorinë e lejeve C”, shprehet ministri Klosi.
Klosi, gjatë takimit me grupet e interesit, ka bërë më dije se tani e tutje shkeljet mjedisore do të trajtohen nga ana e Ministrisë së Rendit, dhe në asnjë pikë nuk sheh të vlefshme ndërhyrjen e bashkive.
“Është fakt duhet ta pranojmë unë i pari kokëulur, inspektorët merren me një lavazh, dhe harrojnë ndotësit e vërtetë. E kemi shpallur nismën tonë. Shkeljet mjedisore do t’i kalojnë Ministrisë së Rendit”, tha Klosi.
Më herët, kryebashkiaku Veliaj kërkoi që lejet mjedisore t’i kalonin pushtetit vendor, pasi nuk mund të vendosë qeveria për një furrë buke apo një lavazh dhe se qytetarët i kërkojnë llogari pikërisht pushtetit vendor për problemet që vijnë në këtë drejtim.
Ndërsa, ministri Klosi iu kundërpërgjigj duke theksuar se janë prishur dëshirat e një kryebashkiaku me ligjin e ri për lejet mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë