Politike

“Do ta çojmë për skrap”, LSI i përgjigjet kryeministrit: Rama ka probleme me demokracinë

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kushtuar një konference shtypi deklaratës së kryeministrit Edi Rama “për ta çuar LSI për skrap”.   

“...Duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj të shumtë, Edi Rama nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje, nuk mund të fshehë realitetin e dhimbshëm, varfërinë dhe korrupsionin që e ka pllakosur dhe që po e mban të mbërthyer për fyti Shqipërinë...” tha zv-kryetari i LSI-së, Luan Rama. Sipas tij, Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a.

“Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër.

Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Edi Ramës, duke qenë se tha që më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin.

Po, Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me demokracinë. Edi Rama ka probleme me integrimin evropian të Shqipërisë, të cilin e ka zënë peng, e ka bllokuar dhe sabotuar.

Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me Shqipërinë, ndaj Shqipëria mezi pret 25 prillin për të larë njëherë e mirë problemet dhe hesapet me Edi Ramën”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë