Aktet e sulmit të KZAZ-ve dhe të djegies së materialeve në bashkitë e drejtuar nga PD dhe LSI shkaktoi një përplasje jo të vogël mes policisë dhe mbështetësve opozitarë. Policia pas rezistecnës së shfaqur, mori urdhër për t’u tërhequr për të mos pasur ndonjë acarim të konfliktit mes palëve.
Pas qetësimit të situatës, me tërheqjen e policisë në KZAZ-të më të nxehta, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj doli në një konferencë për shtyp për dënuar me forcë këto akte, si dhe për të shprehur sipas tij, vendosmërinë për të zbatuar ligjin.
“Policia e Shtetit, po provokohet e po sulmohet në mënyrë të organizuar po përgjigjet me vendosmëri deri në fund. Kryesisht punonjës bashkish e polici bashkiake po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për top. U bëj thirrje punonjësve publik, mos marrin mbi vete barra ligjore, për llogari të një grupit njerëzish që për interesa të tyre duan të marrin peng zgjedhjet. Qeveria do marr masa të shkrijë disa struktura të Policia Bashkiake që kanë dalë haptazi jashtë funksionit të tyre. Askush nuk do tolerohet, mund të jetë pak po e sigurt.” -u shpreh Lleshaj. Sipas tij këta policë bashkiak janë kthyer në një rrezik publik dhe se nuk do të cënojnë aspak rendin dhe siugrinë me aktet barbare që po kryejnë.
Ministri i Brendshëm iu bëri thirrje edhe prokurorëve të atyre qyteteve ku ndodhën incidentet që të veprojë menjëherë dhe të zbatojnë ligjin për ngjarjet e ndodhura.
Lleshaj tha se policia e shtetit do të reagojë në mënyrë proporcionale, ndërsa i ka bërë thirrje policisë bashkiake që të mos përfshihet në akt të dënueshme.
“Policia do ndalojë dhe do arrestojë çdo shkelës. S’ka asnjë dyshim se një pakicë njerëzish nuk do të imponojnë asgjë. Ata që i janë shmangur procesit nuk mund të marrin peng asgjë”, theksoi Lleshaj.
Për sa i përket këtyre ngjarjeve reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se e gjithë kjo rrëmujë shihet si një revolucion imagjinar i opozitës.
“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar!Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu.I pyes:A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD/LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”, shkruan Rama në Twitter.
PS vihet në lëvizje, votohet "ndëshkimi" për krimet zgjedhore
Parlamenti do të shqyrtojë në seancën e së enjtes ndryshimet në Kodin Penal, i cili kërkon një shumicë të cilësuar të votave. Për shkak të klimës së tensionuar politike, ku KZAZ-të në bashkitë vendore të djathta po sulmohen nga militantët e simpatizantët e opozitës, socialistët kanë futur me urgjencë amendamentin, ku do t’i ndalohet dhunuesve të zgjedhjeve që përveç burgut të ndëshkohen me mos udhëtim jashtë Shqipërisë, nga 5-10 vite.
Nisma u njoftua fillimisht nga kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në njësinë nr.1 në Tiranë. “Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament. E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi. Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve. Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren. Ata nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama.
Amendamenti është hartuar nga deputeti i PS-së, Evin Bushati, i cili e ka paraqitur me urgjencë në Parlament, duke bërë që komisioni parlamentar i Ligjeve ta shqyrtojnë nismën. Komisioni i Ligjeve e miratoi nismën dhe në seancën e së enjtes pritet të hedhë në votim, së bashku me ndryshimet e tjera të Kodit Penal.
“Ndalimi i daljes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga Gjykata nga një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet ndaj personit që kryen një vepër penale që cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, thuhet në amendamentin e miratuar, që synon të përcaktojë një nen shtesë 43/b.
“Paraqita në Komisionin e ligjeve propozimin për një ndryshim në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, me fokus krimin elektoral. Një nismë mjaft e rëndësishme e cila vë theksin edhe njëherë tek demokracia dhe shteti i së drejtës. Është shumë e rëndësishme që në Kod të përcaktohen qartë ndryshimet, ku të theksohen masat që do të ndërmerren në rast se dikush cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit dhe krijimit të shtetit të së drejtës, ku drejtësia është e barabartë për të gjithë. Reforma në drejtësi është kryekurora e çdo reforme tjetër të ndërmarrë dhe ashpërsimi i Kodit Penal për çdokënd që cenon demokracinë dhe votën e lirë shihet si një domosdoshmëri imediate, ndaj edhe kjo rrëmujë që po ndodh ditët e fundit nuk është gjë tjetër përveçse frika që ish-opozita jonë ka nga reforma në drejtësi.”, u shpreh Bushati me një status në Facebook.
Përballë këtij vendimi të mazhorancës i menjëhershëm ishte edhe reagimi i PD-së nëpërmjet nënkryetarit të PD-së, Edmond Spaho.
“Pasi i la pa gjykata dhe drejtësi, Edi Rama sot i kërcënoi shqiptarët se do t’u heqë lirinë për të lëvizur nëpër botë, të cilën e fituan pas shumë vuajtjesh e sakrificash. Polici, gazlotsjellës, dhunë, kërcënime frikësim, përçarje dhe nxitje të vëllavrasjes. Këto janë mjetet me të cilat Edi Rama po përpiqet të ruajë pushtetin dhe paratë që ka vjedhur. Nuk do ta shpëtojë dot asgjë. Opozita është e palëkundër kundër pushtetit të tij kriminal dhe shqiptarët janë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin”, theksoi Spaho.
Ndërkaq ndryshimet e Kodit Penal që do të shqyrtohen në seancën e së enjtes përmbajnë dhe penalizime të tjera në rast se sulmohen zyrtarët vendorë apo komisionerët, duke i rritur masat ndëshkimore. Për t’u votuar këto ndryshime duhet 84 vota në Parlament dhe për këtë mazhorancës socialiste i duhen votat e opozitës së re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.