Lajme

Djali i Remzi Hoxhës: I implikuari në vrasjen e babait vdiq

Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur para 24 vitesh nga SHIK-u, deklaroi sot se një nga dëshmitarët kryesorë, Budjon Meçe nuk është më gjallë.
Duke përkujtuar 24-vjetorin e zhdukjes së të atit, ai deklaroi se ishte i zhgënjyer nga qeveria “Rama”, pasi ka dështuar të zbardhë këtë ngjarje, teksa shtoi se babai i tij dha jetën për kombin shqiptar.

“Mandati i dytë i qeverisë Rama dhe asnjë nga këta persona që ishin marrë me çështjen e babait tim nuk e kanë ngritur zërin. Kemi bërë tentativa për të takuar edhe kryeministrin Rama, vetë e kam takuar dy herë.
Fillimisht na u tha se duhej kohë sa të forconte pozicionin e tij, më pas në 2015 e takova prapë dhe i ofrova edhe një zgjidhje si ta zgjidhte më lehtë duke e kapur Budjon Meçen, pasi gjendej në Shqipëri. Më orientoi te Saimir Tahiri, që ishte atëkohë ministër i Brendshëm. Ai më tha t'ia çojë të gjitha infot që të merrej me rastin. Kam përgatitur edhe korrespodencën me e-mail me Tahirin”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ai tha se për të rritur presionin kanë filluar të bëjnë dokumentarë për figurën e Remzi Hoxhës.
“Budjon Mece ka qenë i implikuar. Përgjigja e Tahirit ishte se do ia kalonte policisë, por nuk është bërë asgjë. Tani kam informacion që Budjon Meçe nuk është i gjallë më. Kjo është shumë zhgënjyese, pasi kishim shpresa të mëdha se do të na ndihmonin për të gjetur eshtrat. Edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar për të zbardhur vrasjen. Për të rritur presionin, ne kemi filluar të bëjmë edhe dokumentarë për figurën e babait tim, njëri narrativ dhe tjetri do të jetë dokumentar artistik”, tha ai.
Ish-punonjësi i SHIK-ut, Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron, por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Mece ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. Vendimi për të nuk u aktivizua, ndërkohë që Hoxha tha sot se nuk është më gjallë.
Në atë kohë, për Remzi Hoxhën qarkullonin zëra se ishte arrestuar si agjent i UDB-së, si trafikant armësh, e deri si pjesëmarrës në atentatin kundër Presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë