Ekspozite

Djajtë, engjëjt dhe njerëzit e Kolë Idromenos

Me violinën e djallit, atë me tetë tela që e kishte modifikuar vetë, të cilën Kisha e cilësonte një instrument të mëkatshëm që ndizte dëshirën për valle të shfrenuara, të pirët dhe zënkat, ai është nisur drejt portave të Ferrit. Ai është një prej 220 figurave që ka zgjedhur njërën prej rrugëve në tablonë gjigande që duket sikur shkrin në një, përjetimin e vegimeve apokaliptike të apostullit Gjon me rrathët Danteske të ferrit, purgatorit dhe parajsës.

Është tabloja me përmasat më të mëdha në sallën e ekspozitave të përkohshme, në Galerinë Kombëtare të Arteve që kremton jetën dhe veprën e piktorit në Retrospektivën me 47 punë, e titulluar “Dy Rrugët”, ku Kolë Idromeno ka pikturuar edhe veten. Piktura 129 -vjeçare, të cilën e nisi më 1890-n është pjesë e një serie të porositura nga një frat katolike.

Mësimet e fesë qenë të vështira për t’u përhapur mes popullsisë të thjeshtë e për këtë imazhet mund të qenë rruga më e lehtë. Kështu nisi seria e pikturave që do të paraqiste mëkatet që të çojnë në dënimin e përjetshëm dhe sjelljet e sakrificat që dhurojnë jetën e amshuar në parajsë.

Nuk mungojnë ato gjithëfarëllojet e mëkateve dhe mëkatarëve; gjakmarrësit, kurorëshkelëset, koprracët, bijtë që keqtrajtojnë nënën...Por përtej tematikës biblike, piktura është dëshmi e gjallë e etnografisë. Aty janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Idromeno sjell jetën e përditshme,siç ai i njeh e  ku njerëzit duket se nuk e vrasin mendjen për punët e Ferrit apo të Parajsës. Kështu e shpjegon studiuesja Eleni Laperi, në këndvështrimin e së cilës nuk shquhet shumë fryma mistike, por natyra njerëzore dhe jeta e thjeshtë.

Vetë Idromeno, ka zbuluar Laperi, e ka restauruar vetë veprën, pasi pësonte dëmtime nga udhëtimet. Madje pas 1909-s, do t’i shtonte edhe personazhe të tjerë realë, veç vetes dhe mikut të tij Palok Kurtin. Edith Durham dhe konsulli francez Alexandre Degrand, shfaqen në hyrje të portës së Ferrit.

Ferri, tek "Dy Rrugët", 1896.

Ferrëparajsa shkodrane e piktorit

Edhe peizazhi, si ai lart drejt Parajsës dhe ai teposhtë drejt Ferrit, është i njohur. Ka zgjedhur pamje të Shkodrës, diku duket edhe Rozafa. Edhe bimësia është ajo që rritet në zonë. “Krejt ndryshe nga një pjesë e madhe e krijimtarisë piktorike të Iromenos, tabloja ‘Dy rrugët’ është punuar me kënaqësi e shkathtësi. Sa seriozisht e pati marrë Idromeno këtë porosi për një seri tablosh, e dëshmon një punë serioze parapërgatitore me studime, skicat dhe foto, që kanë mbërritur deri në ditët tona”, rrëfen studiuesja Laperi.

Idromeno iu lut miqve të pozonin për një seri fotografish, që sot ruhen në arkivin e Muzeut Marubi në Shkodër. Vepra u zbulua në vitet ’70 dhe është restauruar nga Instituti i Monumenteve, që ishte restaurimi i parë. Kjo pikturë u vendos në Muzeun Etnografik në Shkodër.

“Duke u nisur nga skica, që ka bërë për tablonë ‘Marrëveshja e papërshtatshme’, mund të themi se Idromeno është i pari piktor shqiptar, që ka pikturuar figura nudo, ndoshta nga natyra”, shpjegon studiuesja.  Me kujdes, piktori sjell të përfaqësuara në figurat e vogla të gjitha shtresat,  klasat, profesionet, gjinitë.

Atë liri interpretimi nuk e gjen në përgjithësi në veprat e tij, kryesisht të frymës së hershme neoklasike me linja të kontrolluara e ngjyra, që shkrihen butë te njëra-tjetra, me sipërfaqe ku pothuaj nuk dallohen gjurmët e penelit.

Rruga drejt parajsës tek piktura "Dy Rrugët", 1896

Sipas studiueses, porta e Ferrit i përngjet asaj të  pallatit të Topkapisë, në Stamboll. Për Idromenon, ferri i shqiptarëve ishte Perandoria Osmane. Në pjesën e sipërme të veprës, nga porta e parajsës e deri në qiell, duket se shquhen dy shqiptarët që çuan Zojën e Shkodrës në Gjenacano, pas pushtimit otoman të Shkodrës.

“Nëse te ‘Motra Tone’ Kolë Idromeno pikturoi bukurinë e familjes, te ‘Dasma Shkodrane’ bukurinë e traditës, te portreti i Gjyzepinës bukurinë e ndjesës, me tablonë ‘Dy rrugët’ Kolë Idromeno cliroi pikturën e tij”, mendon Laperi.

Betimi në Rrenë 1892-1894

“Betimi në Rrenë” dhe “Kur hyn dreqi në shtëpi”

Ai që diti ta vlerësojë vlerën e madhe të artit të Idromenos ishte konsulli francez Alexandre Degrand, i cili jetoi në Shkodër nga viti 1893 deri në vitin 1899, kohë që e përshkroi në librin “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” , botuar më 1901 ,shoqëruar edhe me katër fotografi të piktuave të Idromenos. Ai madje e kishte përshkruar  pikturën “Dy Rrugët” edhe me një liqen, të cilin më pas gjatë ripunimit piktori e kishte zëvendësuar me një lulishte. Degrand ka përfshirë në librin e tij pikturën “Betimi në Rrenë”, i cili vjen edhe në këtë Restrospektivë në Galerinë  Kombëtare të Arteve e që do të qëndrojë e hapur deri më 8 shtator.

Foto skicë për pikturën Betimi në Rrenë

Pranë pikturës është edhe fotografia, ku pozojnë miqtë e Idromenos. Kështu ai përfton modelet për pikturën. Djaj që shkulin një gjuhë, rrethuar nga gjarpërinj. Betimi i rremë është i dënueshëm në besimin fetar. Por janë këto piktura dhe fotografi, që më shumë se ngjallin frikën për ndëshkimet e botës së përtejme, ngjasojnë me filmin e regjisorit italian Pier Paolo Pasolini “120 ditët e Sodomës”, realizuar  shumë vite më pas. Ishin 12 fotografi të Idromenos të shfaqura në një ekspozitë në Muzeu “Marubi” Shkodër, titulluar “Dy Rrugët”.

Kur hyn Dreqi në Shtëpi 1899

Një tjetër tablo me tematikë biblike, thuajse e panjohur për publikun dhe e restauruar së fundi, është “Kur dreqi hyn në shtëpi”. Një vepër që fshikullon mëkatet, por edhe përcjell shqetësimin e piktorit  për prishjen e traditave më të mira dhe moralit të shoqërisë shqiptare. Fryma e djallit, në këtë tablo i ka mbështjellë njerëzit, ndërsa një prift lutet me sytë nga qielli.Studiuesi Zef Paci thotë veç këtyre veprave të ekspozuara janë edhe të tjera si  “Ora e fundit”, “Të shenjtënuemit e Marisë”, “Gjyqi i fundit”.

Autoportret 1938

Autoportret

Por përtej ferr-parajsës dhe tematikave fetare, Idromeno është piktori realist që e sjell njerëzoren të prekshme, tokësore.

Autoporteti i Idromenos, realizuar më 1938-n të pret në hyrje të sallës së ekspozitave si i zoti i shtëpisë që i hap dyert drejt rrugëtimit të tij artistik. E realizoi veprën një para se të ndërrronte jetë. Ishte shtatëdhjetë e një vjeç. Mikel Prenushi, kur flet për këtë vepër në librin e tij ‘Kole Idromeo’, thotë se ndërsa nisi te punonte portretin në studion e tij me tre paretet me xhama, e shoqja, Gjyzepina, i kishte thënë të vishej më mirë për pikturën që do të bënte. Po Idromeno i ishte përgjigjur se donte të dilte ashtu si ishte: as më i veshur, as më i bukur, as më i ri. Me sytë e gjelbër, që vështrojnë nën strehën e kapelës republike në ngjyrë kaki, me këmishë të bardhë me jakën, ‘me krahë’, me një kravatë jeshile të errët me ca motive të vogla në ngjyrë violet dhe me pallto të zezë, ai sheh drejt nga shikuesi, pa fshehur asnjë shenjë të moshës. Kjo vepër na zbulon Kolë Idromeno si një piktor të ndjeshëm, i cili i përdor me lehtësi ngjyrat, sepse e njeh mirë bashkëveprimin midis tyre. Kështu e përshkruan studiuesja Laperi.

Me ngjyra të kursyera, po të zgjedhura me shumë kujdes, ai arrin të materializojë pjesët përbërëse të tablosë duke na dhënë një pikturë me kolorit të përmbajtur, e cila përmbledh eksperiencën e gjithë jetës së tij si artist.

Kolë Idromeno u lind më 15 gusht të 1860-s, në Shkodër. I ati, Arseni ishte shqiptar nga Parga, i lindur në Korfuz. U  vendos në Shkodër në vitin 1856 dhe më 1858 u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin. Nikolla, ose Kola, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859. Në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish.

Muzika ishte një tjetër dhunti, që e shoqëroi gjithë jetën dhe ndikoi në veprimtarinë e tij si një prej figurave te rëndësishme të jetës qytetare shkodrane. Idromeno iu kushtua muzikës gjatë viteve 1878-1881. Ai u bë pjesëtar i bandës së qytetit që prej krijimit të saj, më 1878, kur sapo ishte kthyer nga Venecia, ku e dërgoi i ati në vitin 1875, ku edhe mësoi teknikën e pikturës së vajit në kanavacë. Idromeno mësoi t’i binte trompës dhe të luante në violinë, të cilën më pas e modifikoi në një instrument me tetë tela, gjë që e ndihmonte të nxirrte prej saj tinguj të veçantë.

Në 1878, kur ldromeno u kthye në Shkodër, ishte formuar Lidhja e Prizrenit dhe në qytetin e lindjes kishte nisur të gjallërohej lëvizja për pavarësi. Idromeno iu bashkua që në fillim lëvizjes patriotike, duke qenë mik i patriotit Hilë Mosi dhe i poetit Ndre Mjeda.

Idromeno mësoi bazat e vizatimit dhe profesionin e fotografit në studion e Pietro Marubbit. Ndërsa prej të atit mësoi mjeshtërinë e zdrukthëtarit dhe bazat e ndërtimit dhe të projektimit të godinave. Autorësia e tij si arkitekt i përket shumë prej godinave më të bukura të qytetit te Shkodrës, si: Kafja e Madhe, tavani dhe kambanorja e katedrales së Shën Stefanit, Kisha e Shirokës, stacioni elektrik i qytetit, shtëpia e familjes Çoba, shtëpia e Radovanëve, godina e Prefekturës e mjaft të tjera.

Porteti i së shoqes, 1920

Portreti i së shoqes

Përbri tij, qëndron potreti i së shoqes, Gjyzepinës. Kolë Idromeno e pikturoi portretin e gruas së tij në dimrin e vitit 1931, kur vetë ishte rreth shtatëdhjetë vjeç e Gjyzepina ndoshta gjashtëdhjetë. Gjatë jetës së tyre bashkëshortore Kolë Idromeno i ka bërë disa fotografi Gjyzepinës, por  bëri vetëm një portet në pikturë të saj, kur ajo ishte në moshë të thyer. Idromeno u martua në moshën 24 vjeçare. Po jo me atë vajzë që zgjodhi në fillim. Nga kujtimet e miqve të tij mësojmë se ai donte fort një vajzë shkodrane, që ndoshta e kish njohur që kur kishte qenë foshnjë e lidhur në djep. Kola thurri edhe një këngë për të, i ndihmuar nga miku i tij muzikant, Palok Kurti. Kënga titullohej ‘Të baj be pash Perenin’. Ajo këndohet edhe sot e nis me fjalët:‘T’baj be pash Perenin’, tiqë mje si molla n’‘gem, ta kam njofmoj bukurin’, qysh se t’ka lidh nana n‘djep...’.

Idromeno nuk arriti të martohet me vajzën, që ishte ‘si molla n’gem’ e që ia deshi syri. Ai u martua në vitin 1884 me Gjyzepinën, vajzën e Gaspër Muzhanit e jetuan bashkë për 55 vjet, deri kur Kolë Idromeno ndërroi jetë,  në vitin 1939. Dy vjet pas tij i mbylli  sytë edhe Gjyzepina.

Sipas Mikel Prenushit,  Kolë Idromeno diskutonte shpesh me të shoqen për ndonjë ‘sekret’ të profesionit të tij si piktor dhe e shoqja merrte pjesë gjallërisht në këtë diskutim. Duke bashkëjetuar me një artist, ajo ishte mësuar të jepte gjykime edhe për veprat e tij, ishte aftësuar të njihte artin e ta çmonte atë.  Kurse në kujtimet e tij Lec L. Goba shkruan se ‘piktori pat për gruen e vet një dashni të vërtetë. As edhe nji natë nuk ndejti pa grun e vet. Këtu shifet edhe dashunija e madhe që pat edhe grueja për piktorin, tue mos fjetë as edhe një natë në familjen prindërore.’

Portreti i Mati Kodhelit, 1881

Mati Kodheli  dhe Motra Tone

Idromeno u kthye në Shkodër nga Venecia, ku kishte shkuar të studionte për pikturë, në vitin 1878. Po atë vit u kthye nga Trieste, edhe Mati Kodheli, miku i tij i fëmijërisë, nga i cili kemi edhe një portret në fotografi të Kolës 21 vjeçar. Portreti i parë në pikturë, që kemi nga Kolë Idromeno është pikërisht portreti i Mati Kodhelit, i realizuar në vitit 1881. “Duke u nisur nga data e realizimit të këtij portreti, duhej të thoshim se portreti i Mati Kodhelit është portreti i parë i pikturës realiste shqiptare. Nuk ka pse të mos mendojmë se para portretit te Mati Kodhelit dhe të motrës Antonia, Idromeno do ketë realizuar edhe tablo të tjera”, shkruan Laperi.

Motra Tone, 1883

Megjithatë ‘Motra Tone’ do ta mbajë gjithnjë ‘vendin e nderit’ si portreti i parë i pikturës realiste shqiptare, pasi ndërsa portreti i Mati Kodhelit duket sikur ishte përpjekje e parë e Kolë Idromenos për të provuar veten në se mund të bënte një vepër serioze në pikturë, ‘Motra Tone’ është një nga portretet më të realizuara në pikturën shqiptare, është më shumë se thjesht një portret. Ajo u bë simboli i fillimit të pikturës realiste shqiptare, pasi përmbledh në portretin e një gruaje gjithë atë qe dinë dhe duan shqiptarët për gruan, fisin dhe familjen. Portreti i pare i historisë së artit realist shqiptar nuk është portreti i ndonjë heroi legjendar, i ndonjë mbreti apo i ndonjë kalorësi.

Portret i së motrës, Antonia 1831-1912

Piktura e parë me ngjyra vaji mbi një telajo nuk u bë me porosinë e ndonjë njeriu me pushtet. Piktura e parë e historisë së artit shqiptar është portreti i një gruaje të thjeshtë, që nuk kishte famë, që nuk kishte fuqi mbi ndonjë kështjellë, çiflig apo mbi ndonjë krahinë. Ajo thjesht ishte e rëndësishme për familjen e saj, për vëllain e saj, aq e rëndësishme sa ai, Kolë Idromeno, vendosi ta nisë me portretin e saj udhën e vështirë të artit serioz të pikturës. E motra, e përjetuar në pikturën që njihet edhe si “Mona Lisa” shqiptare, u nda nga jeta në moshën 31-vjeçare.  

Portret i Ernest Çobës, fëmijë.

Portreti i Dom Ernest Çobës

Portretin e fëmijës më faqet në ngjyrë trëndafili e identifikuan të afërmit e tij, vetëm pak kohë më parë. Idromeno nuk kishte shënuar asnjë emër në pikturën që e paraqet klerikun katolik Ernest Çoba, në moshë të mitur. Ishte djali i mbesës së tij Ursolinës, të cilën e rriti vetë me të shoqen, pasi e motra Tonia u nda nga jeta në moshë të re.

Portret i Ursolinës, mbesës së Idromenos dhe mamaja e Ernest Çobës

Gjatë studimeve, daja i nënës së tij, Kolë Idromeno e donte aq shumë, sa dëshironte që ai të jetonte me të, në shtëpinë e tij. Me lejen e jezuitëve, ai jetonte në shtëpi dhe ditë për ditë shihte meshën dhe shkonte në seminar për studime. U shugurua  meshtar në kishën e jezuitëve nga Imzot Della Pietra më 9 shkurt të vitit 1936. Do të arrestohej nga regjimi komunist më 1976-n. Një vit më pas iu bë gjyqi ku u dënua me 25 vjet burg  për marrëdhëniet e fshehta me Selinë Shenjtë dhe për agjitacion e propagandë vjet. Imzot  Çoba vdiq  në burgun e spitalit të Tiranës. Shumë vite  më vonë, mbas rihapjes së kishave, i vëllai ia zbuloi varrin në Tiranë.

Dasma Shkodrane, 1924

Dasma shkodrane

Te ‘Dasma Shkodrane’ me personazhet konkrete statike Idromeno ndërton një kompozim të dukshëm, i cili prodhon një kompozim dinamik me ‘personazhe’ të padukshëm — kompozimin e vështrimeve. Pasi provon dhe heq nga vizatimi përgatitor ato figura që nuk e bindin, pasi nuk i përgjigjen ndjesive dhe vizioneve të tij brenda kuadratit të tablosë, Idromeno ka realizuar përfundimisht një vepër emocionuese, ku loja me vështrimet e personazheve statike, me linjat e arkitekturës, e harmonizuar me ngjyrat, dritat dhe hijet, në mënyrë të ndërgjegjshme ose instinktive, i përmbahet teorive të ndërtimit të një kryevepre.

Me figurën e gruas në planin e parë e cila e hedh vështrimin jashtë kornizës së tablosë, sikur sheh nga aparati fotografik, Idromeno ka krijuar një ndërveprim të personazheve të tablosë me shikuesin jashtë tablosë. Ndoshta Idromeno me dëshirë nuk i ndryshoi qëndrimet e personazheve të fotografive, ndoshta e la qëllimisht këtë shkëmbim vështrimesh të figurave nga brenda kuadratit të tablosë me figurat (shikuesit) jashtë saj, ashtu si bëri piktori francez Edouard Manet në vitin 1863 kur trazoi kritikët e kohës me vështrimin, që gruaja nudo në tablonë ‘Mëngjesi mbi bar’ nuk e drejton nga personazhet e veshur, të ulur pranë saj, po e ka kthyer nga shikuesi.

Portret burri me veshje tradicionale

Vepra e  Idromenos , dëshmi e etnografisë shqiptare

Falë pasionit për të udhëtuar në natyrë, Kolë Idromeno krijoi një koleksion të pasur e të larmishëm. “Kjo është arsyeja që në një pjesë të fotove të tij, gjejmë edhe aspekte të jetës shpirtërore si,  zakone e tradita të jetës familjare që praktikoheshin në qytetin e Shkodrës e sidomos në fshatrat përreth saj, të gjitha të realizuara në mjedisin e tyre real”,  shkruan etnografja Afërdita Onuzi.

Te shumta janë fotot që pasqyrojnë dukuri të ndryshme të kulturës popullore si: rruga e banesa tradicionale apo ndërtime të ndryshme kulti, banorë të qytetit të Shkodrës të veshur me veshje tradicionale apo “allafrënga” si dhe mjaft personazhe të tjerë, te veshur “malsorçe” apo me veshjet e fshatrave të Fushës së Zadrimës.

Midis fotove spikat njëra  që paraqet mënyrën e qëndrimit të malësorëve në momentin kur i zihet pritë dikujt “për të marrë gjak”. “Dëshmi mjaft interesante jo vetëm për etnografët, por edhe për historianët, përbën një foto e Idromenos ku paraqitet mënyra si ndëshkohej një shegert”, vijon Onuzi.  Të veçanta për nga vlerat popullore janë edhe ato foto që paraqesin rite të ndryshme fetare apo ato që na njohin me momente të ritualeve familjare si dasma e gëzime të tjera.

Një pjesë e veçantë e krijimtarisë artistike të tij është ajo që paraqet pasurinë dhe magjinë e kostumeve popullore të krahinave të Shqipërisë veriore. “Në rrethana nga më të ndryshmet personat që i mbanin ato, qindra e mijëra herë u bënë “pre” e aparatit të Idromenos”, thotë Onuzi, e cila i ka shtuar ekspozitës veshje dhe stoli tradicionale shqiptare, të cilat janë të pranishme në pkturën dhe fotografinë e Idromenos. 

Idromeno në foto

Në 1886, Kolë Idromeno fillon aktivitetin e vet fotografik duke hapur studion e dytë në Shkodër të quajtur “Dritëshkronja e Kolës”. Në qasjen e tij ndaj fotografisë, Idromeno reflekton një fjalor kulturor te mbështetur në pikturë dhe letërsi. “Falë formimit e interesave të tij, ai ofron një fotografi të pasur me elementë e referenca piktorike si atmosferë, poza, grimasa e si strukturë kompozicionale, disa herë dhe plot trill”, shprehet për të studiuesi Zef Paci.

Ai është artisti që përdor lirisht fotografinë për të përgatitur pikturën duke kërkuar në të gjestet, pozat e dritën që i duheshin. Në disa raste ai i vendos subjektet të pozojnë në situata të pazakonta e marrëdhënie të ndryshme brenda studios, para fondalesh të pikturuara me hapësira arkitektonike në perspektivë, e në disa raste endet jashtë nëpër qytet e rrethina duke gjetur e kapur të veçantën e të çuditshmen. Është fotografi që sa inskenon aq edhe kap çaste të pazakonshme nga vazhda e jetës duke ruejtë fragrancën e saj të  mistershme”, vijon Paci.

Fotografia e tij ruan një regjistër tjetër edhe në raport me veprën e tij piktorike. Piktura e realizuar prej tij bart një bagazh njohurish dhe një proces që e rafinojnë imazhin për të mbërritur tek  plastika e feksje të holla,  ndërkohë që fotografia shpesh e bart dridhmën e jetës, përvojën, shenjat e saj me gjithë kompozimin e ekuilibruar. Personazhet e tij edhe kur hyjnë në studio, ndjehet se janë njerëz të punës, të rrugës. 

Fotograf  i njohur edhe jashtë vendit, më 1912 Idromeno lidh një kontratë me austriakun Josef Stauber dhe solli në Shkodër edhe pajisjet për të projektuar filma, duke realizuar të parën shfaqje publike kinematografike në Shqipëri. Marrëveshje ai lidhi edhe me firmën kinematografike franceze “Pathè”, e cila në vitin 1924 i dërgoi Idromenos në Shkodër filmat e rinj që kishin dalë në atë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë