Ka ndodhur

Divjakë, aktivistja e PD denoncon për dhunë shefin e komisariatit. SHÇBA nis hetimet

Një qytetare nga Divjaka, ka denoncuar shefin e Komisariatit të këtij qytet për dhunë. Mësohet se Elsa Bita pretendon se është dhunuar nga shefi i Komisariatit të Divjakës, Altin Shehu, pasi ka filmuar një takim elektoral.

Ajo ka mbërritur në Urgjencën e Spitalit të Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Prej aty, Bita është shprehur se ka qenë duke filmuar një takim elektoral këtë të shtunë në Divjakë para se të dhunohej.

Në spital, për të vizituar gruan e dhunuar, ka shkuar edhe kandidati i PD në këtë zonë, i cili ka kërkuar arrestimin e shefit të policisë.

Ndërkohë, SHÇBA ka nisur hetimet për shefin e Komisariatit të Divjakës, Altin Shehu për verifikimin pas denoncimit të aktivistes së PD.

"Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike", - njofton Ministria e Brendshme.

Lidhur për këtë ngjarje ka reaguar gjithashtu edhe presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit ka bërë thirrje që SPAK të hetojë dhunën ndaj Elsa Bitas , e cila po filmonte me celular. Gjithashtu Meta i kërkon Policisë së Shtetit të arrestojë urgjentisht autorin apo autorët e dhunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë