Art dhe Kulture

Ditëlindja e 79 e Robert Ndrenikës, një kujtesë e jetës artistike

Aktori i madh, Robert Ndrenika feston sot 79-vjetorin e lindjes.
Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mirë të historisë së kinemasë shqiptare e pa të arti do të ishte më i paplotë.
Ndoshta po të kishte lindur në SHBA, ai do të kishte qenë më i madh se Robert De Niro, i cili jo vetëm ka emrin e Robertit tonë, por është gjithashtu me origjinë shqiptare. Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet më së miri në lëkurën e çdo personazhi, rolet e tij të shumta në numër të interpretuar gjatë jetës e bënë që të shpaloste shpirtin dhe botën e madhe brenda tij.
Emri i tij, ashtu sikurse portreti përcjell pa dyshim simpati dhe energji pozitive e askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’i ndau kurrë.
Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 10 janar 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.
Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.


Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.
Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.
Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë të Arteve.
Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai ka pasur një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.
Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.
Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” (2012).
Në 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.
Në 2015, u shpall Aktori i Vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë