Art dhe Kulture

Ditari i Ana Frankut, zbulohen dy faqe të fshehta për seksin

Dy faqe nga ditari i saj, që kishin qenë të mbuluara me letër kafe, janë zbuluar nga studiuesit në Amsterdam dhe janë paraqitur në një konferencë për shtyp, ditën e martë

Nga  Nina Siegal, Amsterdam – Ana Frank ish përpjekur të mbulonte dy faqe shkrimi në ditarin e saj që përmbanin barsoleta të pista dhe një përshkrim të asaj çka ajo i referohej si “çështje seksuale” duke ngjitur letër kafe mbi faqet në bllokun e saj të shënimeve me vija bardhë e kuq.

Por studiuesit kanë zbuluar tekstin e fshehur duke përdorur teknologji të reja digjitale.

Frank, diaristja adoleshente e cila shkroi rreth rritjes në  një aneks të fshehtë papafingoje ndërsa fshihej nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund të ketë kamufluar dy faqe për shkak se ato përmbanin  përmbajtje epshore, të cilat nuk donte që i ati apo dikush tjetër në strehimore t’i zbulonte. 

Ana Frank më 1942

“Ndonjëherë imagjinoj se dikush mund të vijë tek unë dhe të më kërkojë ta informoj atë rreth çështjeve seksuale”, shkruante Frank në holandisht. “Si mund të shkoj?” Përpiqet ajo me një përgjigje, duke adresuar një dëgjues imagjinar me një ton kryelartë, duke përdorur fraza si  “lëvizje ritmike” për të përshkruar seksin dhe “mjekim i brendshëm” si referim ndaj kontracepsionit.

Ajo prek gjithashtu temën e menstruacioneve, “një shenjë se ajo është e pjekur” dhe prostitucionin “Në Paris kanë shtëpi të mëdha për këtë.”

Teksti  nën dy faqet e ngjitura nga ditari i Ana Frankut në konferencën e shtypit në zyrat e Fondacionit Ana Frank në Amsterdam.

Peter de Bruijn, një studiues i vjetër në Institutin  Hyugens për Historinë e Holandës, një nga partnerët në këtë kërkim, ks thënë se faqet e sapozbuluara nuk janë domethënëse për përmbajtjen e tyre seksuale – sepse Frank eksploron çështje të ngjashme në pjesë të tjera të ditarit, shpesh  edhe në terma më eksplicitë. Ai ka  thënë se këto faqe janë të rëndësishme për shkak se tregojnë përpjekjen e parë të Frankut për të shkruar në një ton më letrar.

“Ajo e nis me një person imagjinar, të cilit i tregon rreth seksit, kështu krijon një lloj mjedisi letrar për të shkruar rreth një subjekti me të cilin mund të mos jetë rehat”, ka thënë ai.

Në një intervistë,  Ronald Leopold, drejtor ekzekutiv i Shtëpisë së Ana Frankut, ka thënë “ Është vërtet interesante dhe i shton domethënie kuptimit tonë të ditarit.”

“Është një fillim shumë i kujdesshëm i saj drejt shkrimtarisë, “ ka thënë ai. “Janë  ende fazat shumë të hershme”.

Dy faqet e zbuluara janë shkruar në ditarin e Ana Frankut me një kapak të kuq, më 28 shtator 1942, kur ishte vetëm 13 vjeç. Gjatë kohës që kaloi e fshehur, shkroi dy versione të ditarit. i pari u shkrua në një seri fletoresh të vogla, nga ditëlindja e saj e  trembëdhjetë më 12 qershor 1942, deri më 1 gusht 1944 dhe kishte vetëm qëllim vetjak.

Por një ditë ajo dëgjoi në radio se qeveria holandeze në mërgim po planifikonte të botonte rrëfimet e dëshmitarëve okularë të  njerëzve që vuajtën nën pushtimin gjerman dhe kështu vendosi të shkruajë një libër të ri që e titulloi “Aneksi i Fshehtë”, bazuar në ditarët e saj, ku shpresoi t’i paraqiste pas luftës. Ajo plotësoi 215 faqe në pak muaj, por në gusht të 1944-ës, ajo dhe familja e saj u zbuluan, u arrestuan dhe u dëbuan; ajo vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen tre muaj pas ditëlindjes së saj të 16 –të, më 1945-ën.

Z.de Bruijin ka thënë se Frank mund t’i ketë ngjitur faqet si formë e vetë redaktimit ndërsa ajo e rishikonte ditarin në përgatitje të të dytit, versionit publik.

Studiuesit  në Shtëpinë e Ana Frankut kanë zbuluar dy faqe të fshehura  në versionin origjinal të ditarit  ndërsa kontrollonin gjendjen e tij dhe fotografonin faqet më 2016 –ën. Fletoret ruhen dhe ekzaminohen çdo dhjetë vjet.

Deri tani ,teknologjia që mund t’u lejonte studiuesve të shihnin në faqet e mbuluara pa i shkatërruar ato nuk ishte e disponueshme. “Kur prek fletët ato mund të dëmtohen, ndaj nuk i prekim”, ka thënë Teresien da Silva, kreu i koleksioneve në Shtëpinë e Ana Frankut. Duke përdorur programe të imazheve fotografike, ata ishin në gjendje të deshifronin tekstin nën letrën kafe pa asnjë kontakt me faqet.

A mund të konsiderohet mungesë respekti zbulimi i faqeve që Franku donte të fshihte?

Faqet 78 dhe 79 të ditarit të Frankut u ngjitën me letër kafe. Studiuesit  kanë zbuluar tekstin nën të duke përdorur teknologjinë digjitale të përpunimit të imazheve.

“Mund të krahasohen, për shembull, me zbulimin e diçkaje të pikturuar nën një kryevepër të Rembrandit”, ka thënë znj.Da Silva. “Kur zbulon se dëshiron të dish se ç’ka nën të, pasi  mund t’ju tregojë rreth mënyrës si ka punuar ai.”

Ajo gjithashtu e ka krahasuar e shkrimet e Franz Kafkës, i cili dëshironte të shkatërronte shumë nga veprat e tij letrare. “Nuk është gjithmonë mirë të ndjekësh dëshirën e një autori”, ka thënë ai. “Është e rëndësishme ndonjëherë për kërkimin shkencor dhe gjithashtu është mirë që publiku të njohë se çfarë ajo nuk donte të publikohej.”

Një zëdhënëse për Shtëpinë e Ana Frankut  ka thënë se muzeu mund të bëjë një tekst të ri të disponueshëm në web, por vetëm në holandisht për momentin, për shkak të kufizimeve të së drejtës së autorit. Ajo ka thënë se nuk e di kur teksti do të jenë i disponueshëm në gjuhën angleze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë