Mjedis

Dita pa Makina boshatis rrugët

E diela e javës së tretë të shtatorit ka një atmosferë ndryshe në Tiranë. Kryeqyteti është boshatisur nga automjetet, pasi edhe këtë vit kryeqyteti i është bashkuar “Javës Europiane të Lëvizshmërisë” dhe 22 shtatori është cilësuar si “Dita e Qyteteve pa Makina”.
Nisma e ka zanafillën në Francë dhe më që pas u përqafua edhe nga Bashkimi Europian, synon ndër të tjera ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin mjedisin dhe të përqafojnë qasjet e reja të transportit alternativ, ecjen dhe pedalimin.
Këtë të diel, Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe aktivitete që kanë për qëllim nxitjen e qytetarëve në përdorimin sa më shumë të biçikletës dhe për ta bërë atë një mjet popullor në rrugët e kryeqytetit.

Aktivitetet e organizuara nga bashkia kanë si synim nxitjen e qytetarëve si këmbësorë së bashku me familjet e tyre.
Për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve të qytetit.
Bashkia ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugët si më poshtë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza” nga ora 10:30 deri në orën 11:00.
Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet sipas planit më poshtë:
Në rrugët “Ibrahim Rrugova”, “Lek Dukagjini” dhe “Papa Gjon Pali II”.
Mjetet e transportit urban të qytetit do të devijohen si më poshtë:
Linja e Unazës do të devijohet në urën e rrugës “Sami Frashëri” me urën e rrugës “Elbasanit”.
Linja “Tirana e Re”, “Kopshti Zoologjik” do të devijohen te sheshi “Wilson” ura e Drejtorisë së Policisë.
Linja “Kristali” do të devijohet te sheshi “Wilson” dhe Stacioni Trenit.
Java e tretë e shtatorit të çdo viti (16-22 Shtator) quhet ndryshe si “Java e Lëvizshmërisë Europiane” gjatë së cilës organizohen aktivitete të ndryshme me karakter edukues dhe sensibilizues me synimin e vetëm që të përmirësojmë cilësinë e ajrit që ne thithim duke kufizuar lëvizjen me automjete. Kjo javë finalizohet në 22 shtator që është cilësuar si “Dita e qyteteve pa makina”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë