Lajme

Dita e të Drejtave të Njeriut, Nikolla: Kuvendi, i vendosur në mbrojtje të lirive të qytetarëve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u shpreh se Kuvendi qëndron i vendosur në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vendit. Sipas saj, Shqipëria e cila prej 10 tetorit është për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB është në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre të drejtave.

“Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve, përmes modernizimit të legjislacionit, mbikqyrjes së institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura.
Dita e të Drejtave të Njeriut shënon fundin e fushatës botërore dhe fushatës sonë kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Të drejtat e grave e vajzave dhe mbrojtja e tyre nga dhuna me janë në krye të prioriteteve të Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ne po punojmë për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave e vajzave, rritjen e aksesit të tyre në burimet e shoqërisë dhe adresimin e kësaj çështjeje si një problem i të gjithë shoqërisë”, shkruan Nikolla.

Edhe Presidenti Bajram Begaj e cilësoi sot Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si “një ideal të përbashkët për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, në mënyrë që çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë