Futboll

Dita e së vërtetës për Partizanin, sot mundësia e madhe për grupet e Ligës së Konferencës

Gazeta Si – Partizani ka sot shansin e artë të shkruajë historinë: të kualifikohet për herë të parë në grupet e një kompeticioni europian, Ligës së Konferencës. Është mundësia e madhe, siç e ka vlerësuar trajneri Zoran Zekiç në konferencë shtypi, ndeshja e kthimit me Astanën në ‘Play-off’-in e këtij kompeticioni.

Favoritë janë kazakët, aq më tepër që ndeshjen e parë e kanë fituar 1-0, por jo gjithmonë në futboll fiton skuadra më e mirë në letër. Futbolli sjell shpesh të papritura dhe surpriza. Për një të tillë shpresojnë shumë drejtuesit, lojtarët dhe tifozët e kuq. Grupet janë afër, por duhet një sakrificë nga lojtarët në fushë. Sigurisht, edhe pak fat.

Partizani ne stervitjen e fundit para Astanes. Gazeta Si, 31 gusht 2023

Në ndeshjen e parë Astanës iu anuluan 3 gola me VAR dhe dikush në kampin e kuq e ka konsideruar një shenjë të fatit. Mbrëmjen e sotme në ‘Elbasan Arena’ kampionëve të Shqipërisë u duhet patjetër fitorja, minimale për të shkuar në shtesa dhe me 2 gola diferencë për ‘biletën’ e grupeve. Me ndihmën e tifozëve Partizani mund t’ia dalë, por duhet shumë kujdes për të mos pësuar.

Eros Grezda është rikuperuar në kohë dhe pritet ta nisë ndeshjen titullar. Mba dhe Mehmeti kanë pasur probleme dhe sot muna ta nisin nga stoli. Trajneri Zekiç ka besim se të tijtë do të bëjënë gjithçka për ta shfrytëzuar këtë rast të artë. “Dua që ekipi ta kuptojë se kjo është një mundësi e madhe”, - theksoi trajneri kroat një ditë më parë. Është vërtet një mundësi e madhe…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë