Libra

“Dita e mbetur” e nobelistit Kazuo Ishiguro

Çfarë vlere ka të shqetësohemi kaq shumë për atë që mund ose nuk mund të bënim për të kontrolluar drejtimin që mori jeta jonë? Doemos që, për ata si ju dhe si unë, është e mjaftueshme të paktën të përpiqemi të japim kontributin tonë të vogël në shërbim të diçkaje të vërtetë dhe me vlerë. Dhe nëse disa prej nesh janë të gatshëm për sakrifica të mëdha në jetë për të arritur
këto aspirata, kjo në vetvete përbën, pavarësisht rezultatit, arsye për t’u ndier krenarë dhe të kënaqur.

Kështu shkruan Nobelisti i Letërsisë, Kazuo Ishiguro, në romanin e tij “Dita e mbetur” , i cili sapo ka ardhur në shqip me përkthimin e Parid Teferiçit, në logon e botimeve “Pegi” , të cilin lexuesit do ta gjejnë në Panarin e Librit, që çelet më 15 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.
Ngjarjet rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumëse tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe si të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij. Nëpërmjet asaj që tregon, por sidomos, nëpërmjet asaj që nuk përmendet, dalin në pah, pak e nga pak, dilemat e jetës së tij.

Ishiguro gjatë ceremonisë së Nobelit. 

Në veçanti, në roman dalin në pah ndjenjat e papranuara dhe të pa përjetuara për zonjën Kenton, guvernanten, e cila, ndryshe nga Stivensi, është e ndërgjegjshme për pasojat dramatike që vetëmohimi i tij do të ketë mbi jetët e të dyve. “Dita e mbetur” fitoi çmimin Man Booker Prize në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli. Ndër të tjera, ky roman është përfshirë në listën e përpiluar nga gazeta The Guardian, “Libra patë cilët nuk mund të jetohet”, dhe është përshkruar nga revista The Economist si vepra më e famshme e autorit fitues të çmimit "Nobel", Kazuo Ishiguro.


Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse: ai është kandiduar katër herë për Man Booker Prize, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga Botimet Pegi në vitin 2017, u shpall nga revista Time si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923
deri në 2005). Ishiguro është autor i shtatë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën.”
Nuk shtyhet jeta duke vrarë mendjen sesi mund të kishte qenë. Duhet ta ndash mendjen se është po aq, madje dhe më e mirë mbase, se e shumë njerëzve, dhe të ndiesh mirënjohje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë