Libra

Dita e Librit për Fëmijë – Sivjet leximin po e nxisim virtualisht

Nga Luljeta Nelallari – “Vetë jeta është përralla më e mrekullueshme”, do të shprehej shkrimtari i famshëm danez për fëmijë, Hans Christian Andersen. E pikërisht 2 prilli, ditëlindja e këtij shkrimtari të madh për fëmijë është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë.

Dita e Librit për Fëmijë është një festë që organizohet çdo vit më 2 prill dhe ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve që kanë lidhje me lexuesit e moshave të vogla. Për herë të parë u zhvillua në vitin 1967, por këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19, aktivitetet e vetme janë ato virtuale.

Drejtorja e Qendrës së Librit për Fëmijë, Anisa Ymeri, thotë për Gazetën “Si”, se këtë vit në kushte karantine është realizuar gjithçka me videomesazhe në rrjet. Ymeri tha se leximi nga personazhe të ndryshëm i është kushtuar dikujt, vetë ajo ia ka kushtuar nxënësve të klasës V-b të shkollës “Qamil Guranjaku”.

“Në kushtet kur nuk mundemi të bëjmë leximet tona në Librarinë për Fëmijë/Qendra e Librit për Fëmijë, këtë ditë po e shënojmë në rrjet. E nisëm me lexime nga znj. Kumbaro, Suela Demiri, gazetare. Vijojmë me Rita Petron dhe lexime “fëmijët për fëmijët”. Noeli dhe Noemi lexojnë nga librat e tyre të preferuar për fëmijët e tjerë, por edhe për ne të rriturit. Secili prej nesh ia ka kushtuar leximin dikujt. Unë nxënësve të klasës V-B të shkollës Qamil Guranjaku, Elbasan. Mësuesja e tyre Florenca donte ta shënonte kështu këtë ditë me ta. Suela ua kushtoi fëmijëve të Korçës, qytetit të saj të lindjes”, u shpreh Ymeri për Gazetën “Si”.

Drejtorja e Qendrës së Librit për Fëmijë, Anisa Ymeri

Ndërkohë, ajo vuri theksin se në Shqipëri bëhet pak për librin dhe leximin për fëmijë. Sipas saj, libri dhe leximet për fëmijë duhet të jenë përditshmëri e jona.

“Është mrekulli kur kaq shumë njerëz bëhen bashkë nga dashuria dhe përkushtimi për fëmijët. Por jemi shumë të mangët megjithatë! Ne në Shqipëri, institucione publike sidomos por edhe në familje dhe shoqëri, pak bëjmë për librin dhe leximin për fëmijë. Kjo është vetëm një ditë në nder të ditëlindjes së Andersenit dhe është bukur që e gjithë bota, feston njëherazi këtë datë. Por libri dhe leximet për fëmijë duhet të jenë përditshmëri e jona. Ndryshe, nuk do të kemi qytetarë që mendojnë”, u shpreh Anisa Ymeri.

Leximeve të sotme u është bashkuar edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka zgjedhur një përrallë, që lidhet me kushtet që po ndodhemi në këto ditë të vështira.

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro

“Sot është data 2 prill, është Dita Botërore e Librit për Fëmijë, sepse 215 vjet më parë lindi një shkrimtar shumë i dashur për fëmijë, i cili ka bërë përralla që i njohim të gjithë, që nga ‘Rosaku i vogël i shëmtuar’, deri te ‘Gishtëza’ apo ‘Shitësja e vogël e shkrepëseve’. E çfarë mund të lexojmë tjetër përvecse përrallave të Andersenit. Për t’ju përgjigjur ftesës së Qendrës së Librit për Fëmijë, e cila ka hapur dyert për libra për ju, përralla që kam zgjedhur sot titullohet ‘Çfarë pa hëna’, është një përrallë që shkon me jetën që ne po bëjmë sot dhe ku e vetmja mundësi që kemi është të shikojmë nga dritarja diellin, natyrën dhe hënën”, shprehet Kumbaro.

Gazetarja Suela Demiri ka zgjedhur librin “Zemër”, një libër që ka në thelb mëshirën dhe ndihmën që i përshtatet kohës së vështirë që gjenden shumë njerëz sot.

Suela Demiri

“Unë zgjodha një libër vërtet shumë të bukur, librin me titull “Zemër”. Në këtë moment zemra ime është në qytetin e Korçës. Është një pjesë e librit zemër që ju tregon se duhet të tregoheni të mëshirshëm, të dashur dhe t’i ndihmoni të gjithë ata që kanë nevojë. Dhe pikërisht në këto kohë të vështira që jemi vetëizoluar ka shumë të varfër që kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve”, shprehet Suela Demiri.

Por ka edhe fëmijë që lexojnë nga librat e tyre të preferuar, e një ndër ta është Noeli që ka zgjedhur librin “Marko Polo”.

Noel Demiraj

“Unë kam zgjedhur ‘Marko Polo’. Marko Polo ka qenë në një udhëtim marramendës në Kinë, vetëm kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Ua rekomandoj fëmijëve ta lexojnë sepse do të ndërhyjë në fantazinë e tyre”, shprehet Noel Demiraj

Përrallat e Andersenit, për nder të të cilit festohet kjo ditë, janë përkthyer në më shumë se 125 gjuhë. Në shqip, në librin “Përrallat e Andersenit” kanë kontribuuar disa përkthyes të njohur, si Pirro Misha, Bedri Dedja, Vandush Vinçani, Dritan Thomollari e Stathi Kostari. Tregimet e Andersenit kanë frymëzuar drama, shfaqje baleti, si dhe filma të animuar Disney.

Më Shumë