Gazeta Si – Shkodra pret sot një mbrëmje ndryshe. Në orën 17:00 luhet Vllaznia-Tirana, apo siç konsiderohet tashmë: ‘Klasikja e Shqipërisë’. Ndeshja vlen për javën e 26-të të Superiores, por nuk është thjesht një 90-minutësh radhe.

Ecuria e Vllaznisë ka bërë shkodranët të ëndërrojnë për titullin. Nëse skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani fiton sot ndaj Tiranës, rimerr vendin e dytë dhe afrohet në 4 pikë ndaj Egnatias së vendit të parë. Titulli josh shumë, por rëndësi ka për Vllazninë të jetë në 2-shen e parë, sepse kështu do të mjaftonte edhe barazimi për të shkuar në finalen e ‘Final 4’.
Skuadra kuqeblu gëzon një formë shumë të mirë, me një seri të gjatë rezultatesh pozitive. Tirana në anën tjetër vjen në një krizë, që i rrezikon shumë 4-shen e parë, me trajnerin e ri Erbim Fagu ende në kërkim të fitores së parë.
Ambienti pritet të jetë mjaft i karikuar në stadiumin ‘Loro Boriçi’, pasi kur Vllaznia ecën mirë, tifozët e saj dinë ta bëjnë detyrën e tyre. Për më tepër, drejtuesit e klubit dhe ata të pushtetit lokal janë munduar ta inkurajojnë më tepër skuadrën përpara kësaj sfide, që mund të hapë rrugën e titullit.
Në Shkodër pritet një atmosferë e ndezur, siç i takon një ‘Klasikeje’, ndërsa fusha do të tregojë çfarë janë në gjendje të bëjnë dy skuadrat e mëdha të futbollit shqiptar. Momenti duket në krahun e shkodranëve.
Për javën e 26-të të Superiores luhet sot edhe derbi mes Teutës dhe Erzenit në stadiuminn ‘Niko Dovana’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.