Futboll

Dita e “El Clasico”, këtë herë spektakli vlen edhe titullin e La Ligës

Mbrëmjen e sotme luhet ndeshja që shumë e konsiderojnë si më të rëndësishme edhe se finalja e Ligës së Kampionëve. Në “Santiago Bernabeu” zhvillohet Real Madrid-Barcelona, apo “El Clasico”, siç e njeh tashmë e gjithë bota.

E gjithë vëmendja e futbollit botëror do të jetë te kjo ndeshje, jo vetëm se përplasen dy superfuqi, që në gjirin e tyre kanë lojtarët më të mirë të planetit, por edhe për faktin se këtë herë në lojë është titulli i La Ligës. Barcelona është 2 pikë para Realit (65-63) dhe kjo ndeshje konsiderohet vendimtare. Nëse madrilenët fitojnë, e parakalojnë Barcelonën dhe barazojnë Atletikon e vendit të parë me pikë.

Nga një ndeshje mes Realit dhe Barcelonës. Gazeta Si, 10 prill 2021

Trajneri Zinedin Zidan ka mungesa të rëndësishme, siç janë dy qendërmbrojtësit Ramos dhe Varane, por edhe Karvahal dhe Hazard. Megjithatë, ai është mësuar tashmë. Me këto mungesa përballoi me sukses Liverpulin në Ligën e Kampionëve pak ditë më parë. Trajneri francez në konferencë shtypi tha se do të jetë një ndeshje e bukur. Ai theksoi se dëshiron që ky “El Clasico” të mos jetë i fundit për Ramosin edhe Mesin, për të cilët ka kohë që flitet se mund të ndërrojnë skuadër në verë.

Katalanasit janë rritur shumë javët e fundit dhe kanë shtuar ndjeshëm shanset e titullit kampion. Trajneri Koeman sot nuk ka në dispozicion Koutinjon dhe Ansu Fatin, të dy të dëmtuar prej kohësh. Edhe pse është një ndeshje, ku vlen rezultati para lojës së bukur, është e sigurt se spektakli nuk do të mungojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë